Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndarë një rrëfim të rëndë personal mbi gjendjen e sistemit shëndetësor në vend. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka kujtuar një ngjarje të ndodhur më 24 prill 2023, kur vajza e tij u fut në sallën e operimit në QKUK pa asnjë përgatitje psikologjike dhe pa pajisjet më elementare mjekësore.
“Kur mendoja që më e rënda kaloi, del mjeku dhe më thotë: ‘S’kemi pej as aspirator. Duhet me i ble vetë’”, ka shkruar ai, duke theksuar se ishte i detyruar t’i siguronte vetë mjetet për operim.
Ai ka shtuar se një tjetër mjek i kishte treguar se mungonin edhe mantela njëpërdorimshme.
“E informova ministrin e atëhershëm, Arben Vitia, për gjithçka. Nuk e bëra publik, me shpresë se do të përmirësohej situata”, shtoi ish-deputeti.
Sipas tij, pavarësisht pritjeve, gjendja në shëndetësi nuk është përmirësuar.
“Në fakt, kemi një ‘përmirësim’: Qeveria në detyrë po na bën me dije që të mos ankohemi për barna. Pra, leji ti albuminat…”, përfundon ai postimin, duke ironizuar me deklaratat e fundit të përfaqësuesve të Qeverisë Kurti.