Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se selia qendrore e INTERPOL-it ka shpallur në kërkim ndërkombëtar të gjithë terroristët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia i dorëzon këta terroristë tek autoritetet kosovare.
“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë“, shkroi ai.
Më tej Sveçla është shprehur se ndëshkimi për udhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodh sa më parë, si garancë e mospërsëritjes së akteve të ngjashme terroriste.
“Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”, tha Sveçla.
/GazetaSinjali/