8.6 C
Mitrovice
E martë, 10 Mars, 2026

Inflacioni 6% në Kosovë, shtrenjtimi prek transportin, ushqimet dhe shërbimet

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se çmimet e konsumit në vend kanë shënuar rritje vjetore prej 6 për qind në muajin shkurt 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), inflacioni mujor në shkurt ishte 0.6 për qind, në krahasim me muajin janar 2026.

ASK-ja njofton se rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa grupeve të mallrave dhe shërbimeve. Rritjet më të mëdha janë regjistruar te shërbimet në lidhje me pajisjet personale të transportit (42.5%), biletat e fluturimeve (39%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin (33.4%).

Po ashtu, rritje e ndjeshme është shënuar edhe te lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (16.8%), pemët (16.4%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (15.1%) dhe mishi (14.7%).

Sipas raportit, çmimet janë rritur edhe në disa kategori të tjera të konsumit, përfshirë pushimet e organizuara (13.2%), shërbimet ambulantore (9.6%), shërbimet hoteliere (9.5%), kafenë, çajin dhe kakaon (9.3%), si dhe peshkun (8%).

Rritje është regjistruar gjithashtu te sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (7.4%), vegla dhe pajisje për shtëpi e kopsht (6.7%), kujdesi personal (6.6%), perimet (6.4%), pijet alkoolike (6.4%) dhe produktet ushqimore në përgjithësi (5.4%).

Megjithatë, raporti thekson se në të njëjtën periudhë është vërejtur rënie e çmimeve te karburantet dhe lubrifikantët për transport personal (-7.6%), që ka pasur ndikim negativ prej -0.4 për qind në IHÇK.

Sa i përket ndryshimit mujor, ASK-ja njofton se rritja prej 0.6 për qind në shkurt krahasuar me janarin është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve për pajisjet personale të transportit (24.4%), perimeve (5.8%), pemëve (4%) dhe pajisjeve audio-vizuele dhe të teknologjisë së informacionit (3.8%).

Rritje mujore është shënuar edhe te shërbimet ambulantore dhe mishi (nga 2.4%), shërbimet hoteliere (1.9%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (1.9%), si dhe karburantet për transport personal (1.5%).

Në anën tjetër, gjatë shkurtit janë regjistruar edhe disa ulje çmimesh, përfshirë biletat e fluturimeve (-18.2%), energjinë elektrike (-4.3%) dhe qumështin, djathin dhe vezët (-2.8%), të cilat kanë ndikuar në uljen e përgjithshme të indeksit për -0.5 për qind.

Në përgjithësi, ASK vlerëson se lëvizjet e çmimeve në këto kategori kanë përcaktuar trendin e inflacionit në Kosovë gjatë muajit shkurt 2026.

TË FUNDIT

TË FUNDIT