Ilir Pecit ende s’i është lejuar të shkojë tek një territor i komunës që e udhëheq.
Kryetari i Zveçanit thotë se është interesuar ta vizitojë Manastirin e Banjskës, ku të dielën luftuan policia dhe grupi terrorist, por ende nuk i është garantuar qasja nga organet e sigurisë, përkundër faktit se aty ka shkuar tashmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Megjithatë, lideri lokal që vepron nga zyra alternative në Kelmend, tregoi për Klan Kosova se ka ndërmarrë veprimet sado simbolike, menjëherë pas sulmit në vikend, duke e hapur Qendrën e Mjekësisë Familjare në Zhazhë.
Ky tregon se në zonën e banuar me shqiptarë, janë dëgjuar shkëmbimet e zjarrit nga Banjska, njofton Klan Kosova.
Peci, që nuk është i dëshirueshëm nga shumica serbe aty, mohon të ketë ditur paraprakisht për një organizim terrorist në komunën e tij. Por fajin për krejt situatën ku u vra polici Afrim Bunjaku, ia lë Beogradit.
Pavarësisht rrethanave të sigurisë, thotë se ka serbë që po marrin shërbime komunale.
Ilir Peci, që u zgjodh kryetar me pakicë votash, pas bojkotit të serbëve, ende s’është bindur që shkarkimi apo dorëheqja e tij dhe homologëve të tij do të mund të sillte paqe në veri.



