Rafet Ibishi, ish-komandant i UÇK-së, kritikoi institucionet për mungesën e përkujdesjes ndaj dëshmorëve dhe ish-ushtarëve. Ai theksoi se shteti nuk ka bërë asgjë për ta dhe madje i ka përballur me gjykata. Sipas tij, vlerat po humbin dhe nuk po respektohen ata që sollën lirinë.
Rafet Ibishi, ish-komandant i UÇK-së, ka folur rreth ballafaqimit me forcat serbe pikërisht në përvjetorin e 26-të të çlirimit të Kosovës. Ai, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka thënë se institucionet dhe politikanët nuk po bëjnë mjaftueshëm për dëshmorët, ish-ushtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre.
“Me bë ma shumë për ta [ish-ushtarët e UÇK-së], se falë tyre e na sot e gëzojmë lirinë, normal edhe falë gjakut të dëshmorëve, por edhe këta kanë mujt me qenë dëshmorë.”
“Te populli jonë sot ka vlerë veç ai që ka vdekë, jo i gjalli – që është gabim. Na nuk vlerësohemi, nuk respektohen njerëzit që kanë mbetë, simbas tyre për me qenë mirë, ish dashtë krejt ushtarët me u vra për me qenë burrë i mirë ose njeri i mirë. Jo bre, njeri i mirë është… janë edhe prijësit, se themelet e shtetit dhe një kauzë kombëtare janë këta njerëz,” ka thënë ai.
Tutje, Ibishi ka thënë se në shoqërinë tonë nuk po dallohen vlerat, duke shtuar se shteti nuk ka bërë asgjë për ish-pjesëtarët e luftës.
“Shteti nuk ka bërë asgjë për ta. Qiky shtet, qiky pushtet i ka dërgue edhe në Hagë, i ka dërgu edhe në gjykatë, se në Kuvend thojke: ‘Kta kriminelat… kriminel nëse ka luftu kundër [Serbisë], kriminel i çkafit?’. Ata pa qare u dashtë me formu Gjykatën Speciale në kuptimin që me i bind edhe popullin që na s’jemi kriminel – jemi paqësorë,” është shprehur ai, duke shtuar se “pavarësisht, nuk duhet të thuhet për dikë ‘kriminel’ kur nuk e ki asnjë fakt.”
“Kur më thu ti ‘kriminel’, duhet me kallxu çfarë krimi kam bërë… Është dashtë shteti me garantu për ta [ish-liderët e UÇK-së] mbrojtje në liri. Na t’u garantojmë si shtet – e kemi policinë, janë institucionet që na garantojnë – po thu ‘arrest shtëpiak’, ‘arrest shtëpiak’, po thu ‘mbrojtje në liri’, ‘mbrojtje në liri’… Është një e mirë që asnjë prej tyre nuk është dorëzu me dhunë atje. Vullnetarisht kanë shku,” ka thënë ai.