spot_img
spot_img

I shkolluar ushtarakisht në ShBA dhe Britani: Kush është Enver Cikaqi, gjenerali që pritet të marrë drejtimin e Ushtrisë së Kosovës?

Gjeneralmajor Enver Cikaqi, i shkolluar ushtarakisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar, pritet të jetë komandanti i ri i FSK-së.

Gazeta Nacionale ka raportuar sot se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tashmë e ka përcjellë në Zyrën e Kryeministrit emrin e Cikaqit si pasues të gjeneralit Bashkim Jasharit.

Cikaqi është pjesë e udhëheqjes së lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj më 2009.

Për më shumë se tetë vjet ai ka ushtruar detyrën e zëvendëskomandantit të FSK-së, ndërsa prej vitit 2019 mban gradën e gjeneralmajorit.

Karriera ushtarake

Më 2009, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e kishte dekretuar Cikaqin në mesin e shtatë gjeneralëve të parë të FSK-së.

Me gradën e gjeneralbrigadës, Cikaqi ishte emëruar komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës.

Në këtë pozitë, ai ishte angazhuar në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së, shkollimin ushtarak dhe ngritjen e kapaciteteve të forcës.

Më 6 mars 2018, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, e emëroi Cikaqin komandant të Forcave Tokësore dhe njëkohësisht zëvendëskomandant të FSK-së.

Më 12 gusht 2019 hyri në fuqi dekretimi i gradimit të tij në gjeneralmajor dhe emërimit në pozitën e zëvendëskomandantit të FSK-së.

Cikaqi ka shërbyer si zëvendëskomandant nën drejtimin e dy komandantëve të FSK-së, Rrahman Ramës dhe Bashkim Jasharit.

Shkollimi në Amerikë dhe Britani

Në vitin 2010, Enver Cikaqi kishte përfunduar studimet në Institutin e Gjuhëve të Mbrojtjes (Defense Language Institute), në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Pesë vjet më vonë, ky institut e kishte përzgjedhur në mesin e tetë studentëve më të dalluar të dhjetëvjeçarit.

Fotografia e tij ishte vendosur në të ashtuquajturin “Muri i Famës” të institutit amerikan.

Këto të dhëna ishin publikuar edhe në revistën zyrtare “Mbrojtja” të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, në tetor të vitit 2015.

TË FUNDIT

TË FUNDIT