13.2 C
Mitrovice
E premte, 10 Prill, 2026

I ndarë nga shokët, i zbehtë e pa kontakte – Detaje të padëgjuara rreth trajtimit të Salih Mustafës në burgun e Hagës

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale. I gjithë procesi gjyqësor u zhvillua teksa Mustafa nuk lejohet të qëndronte me të akuzuarit e tjerë. Ai për më shumë se 8 muaj qëndronte vetëm në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ishte larg nga Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Gucati, Haradinaj e Shala.

Detajet janë publikuar tek pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale. Në dokumentet që ka parë gazeta Nacionale, shihet se mbrojtja e Mustafës kishte ngritur shqetësime lidhur me gjendjen shëndetësore të ‘Calit’, pasi po qëndronte për një kohë të gjatë. Krejt kjo pasi Prokuroria pretendonte, se komunikimi i Mustafës me të akuzuarit e tjerë mund të kishte pasoja në procedurë.

Një parashtrim që është bërë publik tek tash mban datën 19 prill 2022. Aty avokati i Mustafës ngreu alarmin se klienti i tij ishte në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Megjithatë kjo nuk i kishte bërë përshtypje as trupit gjykues e as Prokurorisë, të cilët e kishin vazhduar masën e ndarjes për Mustafën.


“Familjarët që kanë ardhur për ta vizituar ditët e fundit kanë njoftuar mbrojtjen [Redaktuar]. Ata kërkuan nga mbrojtja që ai të kontrollohej në spital, në veçanti që ai [Redaktuar] të kontrollohej. Vëzhgimet e tyre ishin se ai duket i zbehtë dhe nuk ka pamje të natyrshme. Natyrisht, ata vunë re se ai është [Redaktuar] edhe pse ai përpiqet të mos vërehej para familjarëve”, thuhet në këtë parashtrim që tregon për gjendjen e Salih Mustafës aso kohe.

Mustafës i ishte vështirësuar edhe komunikimi me familjen.

“Kontakti kuptimplotë në përgjithësi si dhe me familjarët e tij është bërë më i vështirë. Është shumë logjike kur dikush ka nevojë të ndërveprojë me anëtarët e familjes nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Rrethanat e tilla vetëm nxisin probleme te i akuzuari”, thuhej në këtë parashtrim të muajit prill 2022.

“I mungon ushqimi i shijshëm dhe nuk ka oreks, megjithëse ha. Ai gjen ushqimin [Redaktuar]. Situata e tij aktuale e bëri atë të humbiste besimin te drejtësia Mbrojtja mund të parashtrojë vetëm se ndarja duhet të ndërpritet”, bëhet e ditur më tutje.

Në këtë parashtrim përmenden detaje edhe të mënyrës se si e kalonin kohën ish-krerët e UÇK-së në Hagë.


“Atij i mungon kontakti me të burgosurit nga Kosova. Ai u mësonte tenis disa prej tyre, por tani nuk është në gjendje të ndajë pikëpamjet me njerëzit për ngjarjet aktuale në botë, apo edhe golat e shënuar në një ndeshje futbolli që ka parë në TV”, bëhej e ditur në këtë parashtrim.

“Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e ndarjes së të akuzuarve dhe mungesën e kontaktit me ndonjë bashkëkombës tjetër të paraburgosur nga Kosova, dhe vazhdimin e këtyre masave, mbrojtja mendon se ndarja është shumë e ashpër për të akuzuarin”, përfundonte parashtrimi.

Megjithatë, Prokuroria vazhdonte të insistonte se ndarja nga të tjerët është tejet e rëndësishme për procedurën, pasi mund të ndikojë në gjykim. Kjo bëri që edhe trupi gjykues të refuzonte në vazhdimësi kërkesat e mbrojtjes së Mustafës. /Nacionale

TË FUNDIT

TË FUNDIT