Zëvendësministri në dorëheqje i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është intervistuar të premten e 18 prillit në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.
Durmishi është marrë në pyetje nga hetuesit policorë lidhur me kallëzimin penal për korrupsion që kompania “Sallahu Sh.p.k” e bëri ndaj tij e të tjerëve për projektin e zgjerimit të rrugës Nacionale Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë – Dollc. Pyetjeve të hetuesve policorë, Durmishi u është përgjigjur për një orë.
E pas intervistimit si i dyshuar, ai ka deklaruar se kallëzimi penal i bërë ndaj tij është i qëllimshëm dhe i bazuar në thashetheme.
“Ka të bëj me një kallëzim penal që e ka bë një operator ekononmik, që bën kallëzime penale ndaj meje për pothuajse secalin rast. Bëhet fjalë për operatorin ekonomik “Sallahu”, për të cilin Prokuroria i ka ngrit edhe aktakuzë për një rast tonin, Kjo po duket e qëllimshme, pa asnjë fakt e me thashetheme, gjoja se unë kom ndiku në procedurat që janë zhvillu për rrugën Kijevë-Dollc”, ka deklaruar Durmishi për Kiks Kosova.
Para hetuesve, ai ka mohuar se ka ndikuar për përzgjedhjen e kompanive fituese.
“Unë ju tregova edhe hetuesve se unë jam aty në cilësinë e zëvendësministrit me autorizime ministore dhe puna ime është vetëm që ta nënshkruajë kontratën kur i ka kalu të gjitha filtrat dhe procedurat dhe nuk ka pas shkelje ligjore. Të gjitha këto kontrata janë nënshkruar pas vendimeve të OSHP’së”, ka deklaruar tutje Durmishi.
Përveç Durmishit, përmes këtij kallëzimi penal kompania “Sallahu” po i akuzon për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe ushtruesin e detyrës së menaxherit të prokurimit në këtë ministri, Shefqet Emërllahu dhe anëtarët e komisonit rivlerësues të këtij projekti, në përbërje të Florije Pajaziti si kryesues dhe anëtarëve: Afërdita Shkorreti dhe Hysejn Dobërçani.
Në kallëzimin penal që mban datën 23 korrik 2024, kjo kompani e kallëzon penalisht Durmishin të cilin e akuzon se ka porositur dhe ka ndikuar në raportin e komisionit rivlerësues të tenderit të 32 milionë eurove, për lotin 1.
“Sallahu” fillimisht e fitoi lotin 1 të këtij tenderi me ofertën e 7.1 milion eurove, por që pas rivlerësimit, komisioni e eliminoi nga ky tender, duke ia dhënë këtë llot kompanisë e cila e kishte ofertën më të lartë .
Durmishi fajësohet se në shenjë hakmarrje, pasi që ishte intervistuar nga Specialja për një kallëzim penal që ia bëri kjo kompani për një projekt tjetër, i kishte thënë komisionit rivlerësues që ta injorojnë ofertën e kompanisë “Sallahu”.
Sipas kompanisë “Sallahu”, kjo ishte bërë sebep për eliminimin e saj nga gara për këtë tender, ndonëse pretendon se i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e tenderit dhe për më tepër, kishte qenë kompania me ofertën me çmimin më të ulët, që është kriteri kryesor i përzgjedhjes së fituesit.
Ndryshe, Hysen Durmishi ishte intervistuar vjet në Prokurorinë Speciale, për tenderin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Edhe atëherë ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
“… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.
Ai tutje kishte thënë se bëhet fjalë, sipas tij, për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik që ka ofertuar në tender, ndërsa ka thënë se ka vendime të OSHP-së për këtë çështje të cilat janë publike dhe sipas tij, dëshmojnë pastërtinë në këtë proces.
“Prandaj, thjesht ishin disa sqarime të prokurorit të cilat ai i mori, e tash po presim se çka. E keni vendimin e OSHP-së për këtë rast i cili e ka shpallur ankesën e tij të pabazuar dhe na ka dhënë të drejtë neve si Autoritet Kontraktues, thjesht ai i ka konstestu procedurat në të cilët është zhvillu i gjithë ky proces”, kishte shtuar Durmishi.