Në studimin e fundit të opinionit publik në Serbi 75 % e qytetarëve nuk do të mbështesnin pranimin e Kosovës nga Serbia në këmbim të anëtarësimit të përshpejtuar në Bashkimin Europian. Në anën tjetër 68 % e tyre janë për arritjen e paqes së përhershme me shqiptarët.
Sipas studimit “Qëndrimi i qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës” dhe pyetjeve të shtruara nga Instituti për çështje europiane 46 % e qytetarëve serbë mendojnë se Kosova nuk është humbur, 39 % mendojnë se po, ndërsa 15 janë të pavendosur.
Pak mbi një çerek, 26 %, janë të mendimit se kjo qeveri serbe në pushtet do ta pranoj Kosovën, 52 % jo derisa rreth 22 % nuk dinë si të deklarohen për këtë pyetje.
Nga të gjithë të anketuarit 45 % konsiderojnë se nuk është e mundur që Serbia përsëri të rivendos kontrollin e plotë sovran mbi Kosovën, 38 % mendojnë se është e mundur, 17 % prej tyre kanë thënë se nuk dinë se çfarë të përgjigjen.
Një tregues tjetër nga studim ishte se 85 % e të pyeturve nuk e dinin se cili është plani i qeverisë së Serbisë për Kosovën, shumica prej tyre gra dhe të anketuarit më të moshuar se 44 vjeç.
Diçka më shumë se gjysma, përkatësisht 54 % të të anketuarve nuk do të mbështesin një plan të presidentit serb me të cilin Kosova do të pranohej, e qytetarëve serb do t’iu ofrohej një shtet më stabil dhe standard më i lartë, 21 % do të mbështesnin një plan të tillë, 20 % nuk kanë mendim për këtë çështje.
Nëse nesër do të mbahej referendum për pavarësinë e Kosovës, shumica e serbëve do të votonin kundër – 64.9 %, 13.6 % nuk do të dilnin në votim, 12 % nuk ishin të vendosur, ndërsa 9.5 % thanë se janë për nga serbët. Shënohet rritje tek ata që janë për sipas hulumtuesve në krahasim me studimin paraprak.
Sipas hulumtimit të tyre 68 % e qytetarëve mbështesin vendosjen e paqes së përhershme me shqiptarët në Kosovë, 12 % prej tyre janë kundër dhe 20 % nuk dinin si të përgjigjeshin.
Ky hulumtim është kryer në periudhën 29 mars – 7 prill me 1207 të anketuar në territorin e Serbisë./gazetametro.net



