Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas shkarkimit të 12 ambasadorëve në misionet diplomatike, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi, Hoxhaj u shpreh se me këtë veprim, Qeveria Kurti ka bërë një skandal të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës.
“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me ‘çelës politik’, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës”, shkroi ndër të tjera Hoxhaj.
Sipas tij, veprime të këtilla e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës në botë dhe përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci.
“Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, shkroi më tej ai./Gazeta Sinjali/



