Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar në emisionin “Pressing” se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti po ndjek një skenar që rrezikon rendin kushtetues dhe demokracinë në vend.
Hoxhaj tha se ekziston rreziku që vendi të përballet me një situatë ku Gjykata Kushtetuese mbetet pa gjyqtarë, duke e lënë pa mekanizma kontrolli pushtetin.
“Kurti e ka skenarin për me përmbysë rendin kushtetues. Kjo mund të ndodhë një ditë kur në Gjykatën Kushtetuese nuk ka gjyqtarë. Nuk do të mbetet asnjë mënyrë për ta frenuar ambicien e një njeriu që po kërkon pushtet absolut. Ne as nuk mbesim vend demokratik, as sundim të ligjit, as ekonomi të lirë të tregut. Ai është duke i përndjekur bizneset dhe mediat”, deklaroi Hoxhaj.
Duke folur për zgjedhjet e 7 qershorit, Hoxhaj tha se ato do të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë vendi.
“Pas zgjedhjeve ose e ndërtojmë një shoqëri që nuk i nënshtrohet autoritetit, ose një shoqëri që tërhiqet dhe i nënshtrohet autoritetit. Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet një njeriu. Më 7 qershor kjo është beteja jonë, për mbrojtje të demokracisë”, deklaroi Hoxhaj.



