1.7 C
Mitrovice
E mërkurë, 14 Janar, 2026
spot_img

Hoti: Qytetarët po paguajnë me errësirë çmimin e dështimit të kësaj qeverie

Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv.

Ai ka thënë se qytetarët po paguajnë me errësirë çmimin e dështimit të kësaj qeverie.

Në një postim në Facebook ka shkruar se pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT-i del me njoftime për reduktime të energjisë. Ka shtuar se askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike.

“Është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë. Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, energjia nuk është luks, është e drejtë themelore.

Hoti ka deklaruar se çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik.

“Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, ka shkruar ai.

Një ditë më parë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit. Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit. Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.

Ndërkaq të mërkurën Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë se sistemi po përballet me situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së konsumit.

Për shkak të rritjes së konsumit, sipas KESCO-s, kapaciteti nuk po mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor dhe se rreth 50 për qind e energjisë po sigurohet përmes importit.

Në anën tjetër Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka kërkuar ndërhyrje urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji për bizneset.

Në njoftimin e lëshuar nga DHTIK-u thuhet se situata e rënduar e furnizimit me rrymë po shkakton humbje serioze për qindra biznese në vend./koha

TË FUNDIT

TË FUNDIT