Sot shënohen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator 2020, një marrëveshje që, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, përfaqësonte një arritje historike për vendin dhe një mundësi të rrallë për të forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të vendosur Kosovën në qendër të zhvillimeve ekonomike rajonale.
Në një reagim me rastin e kësaj përvjetoreje, Hoti vlerëson se zbatimi i projekteve madhore infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje do ta kishte kthyer Kosovën në një nyje të rëndësishme rrugore, hekurudhore dhe energjetike në Ballkan, me Fushë-Kosovën si port i thatë që do të lidhte portet e Durrësit dhe Selanikut me Evropën Qendrore.
Ai thekson gjithashtu se marrëveshja solli edhe një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, me njohjen nga Izraeli, duke thyer kështu një bllokadë shumëvjeçare në procesin e njohjeve dhe duke avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas Hotit, kjo marrëveshje nuk u vu asnjëherë në zbatim nga institucionet që dolën nga zgjedhjet e vitit 2021. Ai kritikon faktin se, ndonëse marrëveshja ishte ashpër kundërshtuar nga opozita e atëhershme, sot – pas pesë vjetësh – të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike që ajo kishte, përfshirë edhe ata që dikur e quanin tradhti kombëtare.