Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj presidentes, Vjosa Osmani, për deklaratën e saj ku tha se “900 banda kriminale të shkatërruara”.
Ai ka thënë se kjo deklaratë e dëmton imazhin e Kosovës.
Tutje, Hoti tha se “dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit”
Postimi i tij:
“900 banda kriminale të shkatërruara” nuk është vetëm një statistikë e rreme, por është autogol diplomatik që i bëhet Kosovës. Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar.
Deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës.
Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm.
Sigurisht se ky i fundit nuk është rasti i vetëm. Dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit.
Kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë.
Detyrë e saj është të merret me ndërprerjen të partneritetit strategjik me SHBA, me sanksionet nga BE, me funksionimin joligjor të qeverisë, me emërimin e kryeprokurorit e raste të tjera. Këto i ka harruar. Fundi po vjen, asnjë rezultat, vetëm shërbim me devotshmëri në agjendën shtetrrënuese të partnerit të saj.


