Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka shumicën e fajit që nuk ka pasur progres në dialog.
Ai ka thënë se shpreson të ketë më snhumë përpjekje në dialogun e Brukselit.
“Shpresoj për më shumë përpjekje në dialog, veçanërisht në dialogun e Brukselit të udhëhequr nga evropianët. Shumë prej nesh janë të zhgënjyer nga mungesa e progresit, dhe për mendimin tim, shumica e fajit i takon Qeverisë së Kosovës”, ka pohuar ai.
Ai në një intervistë për Radiotelevizionin serb të premten ka deklaruar se Kosova duhej të bënte disa gjëra për mbrojtjen e komuniteteve, gjë që sipas tij, nuk i ka bërë.
“Kjo ka qenë sfidë e vërtetë. Kosova duhej të bënte disa gjëra, duke përfshirë mbrojtjen e komuniteteve të ndryshme, duke përfshirë popullatën serbe. Personalisht, progresi në Kosovë më duket shumë zhgënjyes”, ka thënë Hill kur u pyet se a ka dështuar SHBA-ja të sigurojë jetë dinjitoze për serbët në Kosovë.
Kujtojmë se Hillit i përfundon mandati si ambasador në Beograd pas inaugurimit të Donald Trumpi si president i 47-të i SHBA-së më 20 janar.
Hill mori pozitën e ambasadorit në mars tëe vitit 2022.