Pas shumë vjetësh, Trepça e ka mposhtur Besa Famgasin në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Të shtunën mbrëma, Trepça dhe Besa e Pejës kanë zhvilluar derbin e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Trepça ka fituar me rezultat 35:33.
Vendasit ishin vazhdimisht në epërsi. Madje mbajtën për kohë të gjatë epërsi prej 4-5 golash. Por pejanët nuk u dorëzuan dhe në minutat e fundit barazuan rezultatin në 33:33. Por më pas mitrovicasit i shënuan dy gola dhe nuk pranuan asnjë për fitoren e rëndësishme.
Trepça tani i ka 18 pikë në vendin e tretë. Në vendin e dytë po ashtu me 18 pikë, është Besa Famgas.
Besa Famgas e Trepça kanë fituar gjithë trofetë e këtij viti. Skuadra pejane ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën, ndërsa Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës.
Kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera, i kthyer nga lëndimi që e mbajti jashtë për disa xhiro, i shënoi shtatë gola. Shtatë gola i kishte edhe Hamdi Salihu. Shpëtim Mehmeti e Yassine Henahem i kishin nga gjashtë gola, ndërsa me lojë të mirë janë shquar edhe Deniz Terziqi e portieri Liridon Esati që kishte 15 pritje.
Te Besa Famgas më efikasi ishte Ajdin Smajlbegoviq me nëntë gola. Shtatë i kishte Nikola Prce.
Besa e Pejës ka dominuar kohë të gjatë në hendbollin kosovar. Kishte përfunduar disa edicione pa humbje të pësuara. Por këtë edicion tashmë i ka tri disfata.
© KOHA.