Numër i madh qytetarësh janë mbledhur sonte në sheshin e Prishtinës,duke kërkuar votimin në lexim të dytë të ligjit për Specialen.
Gjatë protestës janë hedhur edhe fishekzjarre në drejtim të objektit të Qeverisë.
Përmes një fjalimi para protestuesve, aktivisti Çlirim Haziri ka bërë thirrje që të mos ketë përplasje me Policinë e Kosovës dhe të mos gjuajnë në drejtim të tyre.
“Ne kemi dalë të protestojmë, jo për t’u përleshur me policinë. Mos e gjuani policinë”, ka thënë Haziri.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, ndërsa partive politike u ka kërkuar që të veprojnë.
“Jemi në orët e fundit. Thirrje partive politike, mos na lejoni të na soset durimi”, është shprehur ai.
Haziri ka thënë se protestuesit janë mbledhur për të mbrojtur atë që e konsiderojnë vlerën e sakrificës së UÇK-së, duke kundërshtuar, siç ka thënë ai, çdo kalkulim politik rreth kësaj çështjeje.
“UÇK-ja nuk është mall tregu dhe s’bën pjesë në asnjë pazar politik. UÇK-ja nuk i takon asnjë partie të vetme. Mos lejoni që UÇK-së t’i vihet çmimi në marrëveshje”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka paralajmëruar se koha po kalon dhe ka kërkuar nga partitë politike që të marrin vendim para mesnatës.
“Koha po mbaron, por Kosova nuk mbaron kurrë”, ka përfunduar Haziri.
“Mos lejoni që UÇK-së t’i vihet çmimi. Akrepat po marshojnë, ne po protestojmë ka mbetur dhe pak kohë. Po e persim mesnatën sy me sy me atë godinë, ose do të veproni ose do të mbeteni në histori si gjenerata që bënë pazar me lavdinë e popullit tonë. Koha po mbaron por Kosova nuk mbaron kurrë. Deri në vdekje jemi UÇK”, ka thënë ai./Indeksonline/




