Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se nga mënyra se si është përpiluar aktakuza nga Specialja ndaj liderëve të U{K-së, është e vështirë të presësh drejtësi.
“Gjykata natyrisht se do të duhej të vendoste drejtësi. Nëse prokurori tenton të ketë sa më shumë pretendime që kriminalizon diçka, roli i gjykatës është pikërisht që të mos nxjerrë aktgjykim dënues nëse nuk ka prova për këtë, ky është roli i gjykatës. Për shkak të mënyrës se si është përpiluar kjo akuzë, është goxha e vështirë që të presë drejtësi. Drejtësi duhet patjetër”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka folur edhe për ftesën e Qeverisë dhe të PDK-së për unitet.
“E keni parë që këta neve po na thërrasin aktualisht ose po thërrasin për unitet. Njëfarë kërkese false për unitet. Qeveria aktuale, parti të caktuara brenda koalicionit qeverisë, ose një pjesë e opozitës siç është PDK-ja.
Uniteti duhet të ketë bosht, e ky bosht nuk mund të qëndrojë në këmbë me njerëz që mbajnë përgjegjësinë për situatën aktuale. Jo vetëm në raport me Specialen, por edhe me shumë e shumë projekte të dëmshme qoftë që janë bërë në të kaluarën, qoftë që tentojnë të bëhen në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shtuar anëtarja e VV-së në Desku të KTV.
Ajo ka thënë se zgjidhja e vetme është që këta njerëz të largohen, pasi sipas saj, këta njerëz nuk mund të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe as Republikën e Kosovës.
“Këta njerëz që gjithmonë kanë lëshuar pe karshi Serbisë. Në vend se të merren me gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë, këta në procesin e negociatave, prej kur ky ka nisur kanë shkuar duke ia plotësuar secilën kërkesë që e ka pasur Serbia kundrejt Republikës së Kosovës”, ka shtuar Haxhiu.