Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, tash e 22 seanca konstituive s’po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Parlamentit.
Në disa prej seancave të para të ftuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, LVV kishte marrë herë 56 e herë 57 vota “pro” për kandidaturën e Haxhiut, megjithatë që nga 1 maji, LVV është duke provuar që të krijojë një komision në Kuvend për organizimin e votimit të fshehtë për Haxhiun. Sipas tyre, votimi i fshehtë do t’iu jepte më shumë liri deputetëve për të votuar, shkruan Express
Kjo përpjekje e LVV-së për të ndryshuar mënyrën e votimit për kryetare të Kuvendit s’ka marrë përkrahje të asnjë partie tjetër, dhe është cilësuar si shkelje kushtetuese, gjë për të cilën AAK edhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ndonëse VV tashmë po e kërkon me ngulm votimin e fshehtë si metodë për të dalë nga kriza, vetë deputetja Albulena Haxhiu në një intervistë në RTV 21 në vitin 2014, kur kishte folur për rrethanat politike të asaj kohe, përmendjen e votimit të fshehtë si metodë nga Gjykata Kushtetuese e kishte parë si një “ndihmë” që Kushtetuesja po provonte t’ia jepte PDK-së.
Sipas Haxhiut, çështja e votimit të fshehtë u hodh si ide pasi siç pretendonte ajo në vitin 2014 “PDK kishte provuar të blejë deputetët e t’iu bëjë shantazh”.
“Aty është përgjigjur [flet për Kushtetuesen], s’e ka vetë kërkush, është përgjigjur se si duhet të votojnë deputetët, për , kundër ose abstenim, edhe ka jep hapësirën se mundet të shfrytëzohet edhe votimi I fshehtë, sikurse ne nuk e paskmi ditur që mund ta shfrytëzojmë të drejtën, por kjo ka qenë për t’ia mundësuar PDK-së, sepse PDK ka provuar në mënyra të ndryshme që ndoshta t’I blejë deputetët, t’iu bëjë shantazh, t’i kërcënoj, por e ka parë që s’po i shkon më për dore ajo punë që e ka shfrytëzuar deri tani dhe s’ka arritur që t’i bëjë votat”, kishte deklaruar Haxhiu në vitin 2014 në një intervistë në RTV 21.