17.6 C
Mitrovice
E premte, 24 Tetor, 2025
spot_img

Hasani: Zgjedhja e Rashqit është jokushtetuese, rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është anit-kushtetuese.

Ai ka vlerësuar se votimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës është kundër interesave të Kosovës.

Në një intervistë për Kosovapress, Hasani ka treguar se rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës.

“Ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të zotit Rashiq. Kjo zgjedhje ka qenë skandaloze, fund e krye jokushtetuese. Ky interpretim që sot iu bë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese. Rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës. Autonomia e Ohrit e vitit 2023, me këtë politikë, po shndërrohet në federalizim të plotë të Kosovës”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar.

“Jo. Sot Kuvendi nuk është konstituar. Rashiqi është serb, por nuk përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Nënkryetari serb propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Kushtetuta është e qartë, ndërsa aktgjykimi i fundit është edhe më i qartë: serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ish-kreu i Kushtetueses ka vlerësuar se e gjithë procedura e ndjekur sot në Kuvend ishte jokushtetuese.

“Procedura e zgjedhjes së zotit Rashiq sot është, fund e krye, jokushtetuese. E tillë ka qenë edhe kur ai është zgjedhur ministër. Nëse askush nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij mbetet jokushtetuese, por kjo nuk pengon punën e Kuvendit. Nëse çështja e zgjedhjes së tij sot përfundon në Gjykatën Kushtetuese, është e vështirë që një zgjedhje e tillë të shpallet kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe çështjen e shortit, e cila është përmendur nga kryetari Dimal Basha.

“Shorti hidhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet. Lista Srpska, si përfaqësuese e serbëve të Kosovës, sot e ka zbatuar aktgjykimin dhe Kushtetutën e Kosovës me përpikëri. Dështimi i zgjedhjes së nënkryetarit serb nga kandidatët e propozuar nuk mund t’u atribuohet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se deputetët kanë detyrim kushtetues të votojnë kandidatin e propozuar nga shumica serbe, njësoj siç kanë vepruar me Nenad Rashiqin, i cili, sidoqoftë, nuk është përfaqësues i serbëve të Kosovës”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Deputetët nuk duhet të merren me cilësitë e kandidatit serb të propozuar, por me detyrimin e tyre kushtetues – pra, votimin e kandidatit që propozohet sipas urdhrit të aktgjykimit dhe dispozitave të Kushtetutës së Kosovës. Vetëm nëse deputetët serbë nuk propozojnë ndonjërin nga kandidatët që kanë fituar shumicën e votave të komunitetit serb, atëherë mund të vijë deri te humbja e të drejtës së tyre kushtetuese”, është shprehur Hasani.

TË FUNDIT

TË FUNDIT