11.9 C
Mitrovice
E martë, 13 Maj, 2025
spot_imgspot_img

Hasani: Kurti po e zvarrit procesin për shkak të Asociacionit, presidentja s’ka kurrfarë roli

Sot ka dështuar për herën e 15-të konstituimi i kuvendit. Kjo për shkak të këmbënguljes së VV’së në Albulena Haxhiun si kryeparlamentare dhe refuzimit të opozitës për ta mbështetur këtë propozim.

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Gazetën Express e ka cilësuar si papjekuri politike ngërçin e krijuar në Kuvend.

Hasani ka thënë se arsyeja kryesore e bllokimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë “lidhet me implementimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në territorin e Kosovës”, për të cilën thotë se “është pranuar lirshëm nga Kryeministri Albin Kurti në Ohër”.

Ndërkaq sa i përket nisjes së konsultimeve nga Osmani me liderët politikë, Hasani ka thënë se roli i presidentes nuk lidhet me procesin e krijimit të institucioneve, por me garantimin dhe përkujdesjen për funksionimin normal të tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, pas konstituimit.

Ai ka shtuar se ka bazë ligjore lënda që AAK me mbështetjen e PDK’së e LDK’së dërgoi në Kushtetuese për çështjen e votimit të fshehtë.

Intervista e plotë:

Derisa në Kuvend dështoi edhe përpjekja e 15 për ta konstituar këtë institucion krijohet përshtypja se përfaqësuesit e zgjedhur kanë nxjerr një konkluzion se “nuk e kemi edhe aq për ngut”. Çfarë përfundimesh keni nxjerr ju nga kjo situatë kur i shihni duke bërë kështu ata që janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët?

Enver Hasani : Kjo situatë, vërtet, na bën të gjithëve të ndjehemi shumë keq dhe, në njëfarë mënyre, të turpëruar, sepse ky ngërç po krijohet mbi arsyetime krejtësisht absurde. Nëse do të ndiqej kjo logjikë — siç është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme nga forca të caktuara politike në Kosovë — atëherë çdo normë dhe parim kushtetues, si edhe çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, do të keqinterpretohej me qëllim që t’u bishtnohet atyre, duke krijuar ngërçe institucionale të pafund. Kjo është një papjekuri politike.

Me një gjest kompromisi nga ndonjëra anë kjo situatë mund të kapërcehej. A është situata aktuale produkt i armiqësive të mëdha, mosndërhyrjes ndërkombëtare apo taktizime normale të partive?

Enver Hasani : Siç e kam thënë disa muaj më parë, gjatë një interviste tjetër tek ju, arsyeja kryesore e zvarritjes dhe ngërçit institucional lidhet me implementimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në territorin e Kosovës, e cila është pranuar lirshëm nga Kryeministri Albin Kurti në Ohër, në pranverën e vitit 2023. Të gjitha çështjet e tjera janë thjesht shkaqe dhe justifikime për të shmangur këtë detyrim ndërkombëtar të Kosovës.

Edhe armiqësitë e krijuara gjatë fushatës — para dhe pas saj — të cilat vazhdojnë ende me të njëjtin intensitet nga eksponentët e pushtetit aktual, janë në funksion të pengimit të zbatimit të këtij obligimi ndërkombëtar, i marrë nga ish-Qeveria Kurti II. Për pasojë, edhe taktizimet e tanishme janë në shërbim të këtij qëllimi dhe synimi.

Ndërhyrja ndërkombëtare, si dikur, tani mungon — dhe me të drejtë. Miqtë tanë ndërkombëtarë prej kohësh kanë hequr dorë nga mbështetja në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës dhe në çështje të tjera, për shkak të ofendimeve, përçmimit dhe poshtërimeve të vazhdueshme që u janë bërë, shpesh me brutalitet dhe një primitivizëm të pafalshëm nga eksponentë të dy qeverive të drejtuara nga zoti Albin Kurti dhe nga vetë zoti Kurti.

Nga presidenca kanë thënë se Osmani do të nisë një seri konsultimesh nga 15 maji dhe se ftesat për takimet e para janë dërguar. Deri tash PDK, LDK e AAK janë përgjigjur pozitivisht. A mendoni se do të ketë hair prej përfshirjes së Presidentes?

Enver Hasani : Siç e kam theksuar më herët, roli i Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, nuk lidhet fare me procesin e krijimit të institucioneve, por me garantimin dhe përkujdesjen për funksionimin normal të tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, pas konstituimit. Në këtë drejtim, çdo përfshirje e saj është e paarsyeshme dhe pa asnjë nevojë. Një rol të tillë të shefit të shtetit e gjejmë, pa përjashtim, në të gjitha kushtetutat e vendeve evropiane që zbatojnë sistemin parlamentar të qeverisjes.

Në aspektin politik, ndërkaq, ndikimi i zonjës Vjosa Osmani, si Presidente aktuale e Republikës së Kosovës, është zero — dhe kjo me plot të drejtë: gjatë mandatit të saj, zonja Osmani nuk ka arritur ta ruajë pozitën e saj kushtetuese si figurë mbi partitë politike dhe përtej përplasjes së përditshme politike.

AAK me ndihmën e PDK-së e LDK-së dje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e votimit të fshehtë. Sipas juve, a ka bazë ligjore kjo lëndë?

Enver Hasani: Sigurisht që ka bazë. Kam përshtypjen se juristët pranë pushtetit aktual kanë krijuar iluzionin se nuk ekziston bazë kushtetuese për adresimin e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se nuk ka një vendim formal të Kuvendit të Kosovës. Kjo është një gabim i rëndë, sepse justifikon një anarki kushtetuese e juridike në jetën parlamentare dhe institucionale të vendit.

Unë besoj fuqishëm, pa asnjë hezitim, se ekziston një bazë e fortë kushtetuese për zhbllokimin e situatës aktuale. Kjo është edhe detyrë kushtetuese e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sidomos kur ekziston një kërkesë formale për ndërhyrjen e saj dhe kur është më se e qartë mungesa e vullnetit politik për të dalë nga kjo gjendje. Gjykata ka mandatin kushtetues dhe kapacitetet njerëzore e intelektuale për të sqaruar rrugët kushtetuese që duhen ndjekur për konstituimin e Kuvendit në dritën e fakteve të krijuara nga ngërçi institucional.

Më lejoni të sqaroj se ky ngërç është natyrshëm i ndryshëm nga ai i vitit 2014 dhe nga aktgjykimi i asaj kohe. Gjendja faktike atëherë ishte e kundërt me këtë të sotmen: atëherë, opozita kishte marrë në duart e saj kontrollin institucional — njësoj siç po vepron sot z. Avni Dehari — por në drejtim të kundërt, duke penguar formimin e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Në atë kohë, opozita zgjodhi një kryetar Kuvendi në mënyrë jokushtetuese, ndërsa sot opozita shpreh vullnet të qartë politik për të zgjedhur cilindo tjetër përveç zonjës Albulena Haxhiu.

Për pasojë, në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese nuk kishte asnjë mundësi të parashihte se çfarë mund të ndodhte më 2025, aq më pak të shprehej për situata hipotetike në të ardhmen. Në këtë kuptim, veprimet e z. Dehari përbëjnë abuzim me pushtetin, uzurpim të funksionit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe keqpërdorim të atij aktgjykimi të vitit 2014, në mënyrë të ngjashme me atë që bënte një pjesë e opozitës së sotme dhe Lëvizja Vetëvendosje në atë kohë, kur thoshin: “Nuk ka nevojë të na mësojë Gjykata Kushtetuese se si të votojmë!”

Thënë ndryshe: kjo situatë dëshmon se Gjykata Kushtetuese e ka pasur të drejtë, si atëherë ashtu edhe sot. Kritikat ndaj atij aktgjykimi vijnë nga njerëz që nuk kanë njohuri themelore për çështjet kushtetuese — dhe, për fat të keq, janë të njëjtët persona që vepronin në të njëjtën mënyrë atëherë dhe sot.

Çfarë vendimi mendoni se mund të marrë Kushtetuesja lidhur me kërkesën e partive?

Enver Hasani : Nuk mund të them dhe as të spekuloj, sepse një gjë e tillë nuk është punë e imja. Ajo që e di me siguri është se Gjykata Kushtetuese do ta ushtrojë mandatin e saj kushtetues brenda kuadrit të përcaktuar juridiko-kushtetues, duke u bazuar në kërkesat dhe kundërkërkesat e palëve.

A mendoni se Kushtetuesja mund t’i ndryshojë rrethanat në të cilat jemi dhe ta zhbllokojë ngërçin e krijuar në Kuvend ?

Enver Hasani : Sigurisht që po, sepse kjo është brenda mandatit të saj kushtetues. Në çfarë drejtimi do ta formësojë ajo kuadrin kushtetues, brenda të cilit pastaj palët do të jenë të detyruara të sillen dhe të veprojnë, këtë nuk mund ta them.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT