Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë, kanë uzurpuar pozitat ekzekutive. Kështu ka thënë profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani në një intervistë për Kosovapress.
Sipas tij, një gjë e tillë konfirmohet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të cilin e vlerëson si profesional dhe detyrimisht të zbatueshëm, pasi i njëjti – sipas Hasanit nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese nga ekzekutivi në detyrë.
Gjykata Supreme, më 15 korrik, mori vendim se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë është e kundërligjshme, pasi shkelen dispozitat kushtetuese.
Hasani, thotë se çdo mospërfillje e këtij aktgjykimi të Supremes mund të përbëjë shkelje penale për ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Supremja nuk e ka interpretuar Kushtetutën, por vetëm e ka zbatuar atë, ashtu siç e detyron Kushtetuta”.
Qeveria në detyrë ka reaguar kundër vendimit të Supremes, duke e konsideruar atë arbitrar dhe të njëanshëm, madje kanë paralajmëruar edhe dërgimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, profesori Hasani, i cili ka qenë edhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, thotë se qeveria nuk ka të drejtë të dërgojë vendimet e Gjykatës Supreme në Kushtetuese.
Sipas tij, aktgjykimi i Supremes është detyrimisht i zbatueshëm dhe nuk mund të ankimohet.
Ai ngre dyshime nëse ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë, do ta zbatojnë aktgjykimin e Supremes. Por, sipas tij, moszbatimi i vendimit mund të ketë pasoja penale dhe Prokuroria duhet të jetë vigjilente në këtë drejtim.