27.8 C
Mitrovice
E premte, 5 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Hargreaves: Britania e ka mbështetur Kosovën si shtet shumetnik dhe do të vazhdojë kështu

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, shprehu për rrotull pakënaqësinë me situatën që është krijuar në raport me pakicën serbe në Kuvend. Deklarata e tij vjen në vazhdën e kritikave të shteteve të QUINT-it për veprimet e pushtetit aktual ndaj pakicave etnike në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë tha se vendi i tij e ka mbështetur Kosovën si një shtet shumetnik dhe se si të tillë do të vazhdojë ta mbështesë

Deklarata e tij vjen pas zhvillimeve në Kuvend ku dështoi të zgjidhej nënkryetari nga komuniteti serb dhe pa të cilin kryetari i ri, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.

“Kosova duhet të jetë një vend ku të gjitha komunitetet duan të qëndrojnë, ku ndihen të mirëpritura, ku shohin një të ardhme dhe ku brezat e ardhshëm duan të jetojnë. Jam i bindur se kjo është e mundur dhe se ka shumë njerëz që duan ta arrijnë këtë. Ne jemi partnerë në këtë proces, kemi qenë partnerë që nga fillimi i ndërtimit të një shteti shumetnik dhe do të mbetemi të tillë”, tha ambasadori britanik për mediumin lokal në gjuhën serbe Radio “Gorazhdevac” gjatë një vizite të tij në Rahovec.

Në këtë prononcim, ai theksoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis komuniteteve në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë Kosovën si një vend shumetnik ku të gjitha komunitetet mund të jetojnë, të lulëzojnë dhe të duan të qëndrojnë. Dhe unë do të vazhdoj të punoj për këtë me të gjitha komunitetet që takoj”, tha Hargreaves.

Ai shtoi se gjatë vizitës së tij të parë në Rahovec, ai ishte veçanërisht i impresionuar nga angazhimi i njerëzve për komunikim të ndërsjellë dhe ruajtjen e komunitetit.

“Është gjithmonë prekëse dhe frymëzuese për mua të shoh sa punëtorë janë njerëzit, sa të gatshëm dhe të aftë janë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të ndiejnë historinë dhe lidhjen e thellë të njerëzve me këtë vend”.

Ambasadoriatje vizitoi Kishën e Virgjëreshës së Shenjtë dhe foli me klerin dhe komunitetin vendas.

“Isha i magjepsur që ende ka një komunitet serb të vogël, por të gjallë dhe shumë komunikues këtu. E di që historia ka qenë e vështirë, por jam i impresionuar që komuniteti vazhdon të jetojë dhe të punojë me fqinjët e tij”, tha Hargreaves.

Duke folur për bisedën e tij me kryetarin e komunës, ai theksoi rëndësinë e bujqësisë dhe kujdesit mjedisor, duke shtuar se ka dëgjuar shqetësimet e tij për ruajtjen e burimeve ujore dhe tokës, për të cilat tha se janë thelbësore për jetën e popullit të Kosovës.

Së fundmi, Hargreaves theksoi se komuniteti ndërkombëtar ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në ruajtjen e bashkëjetesës.

Po punojmë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi për ta bërë dialogun sa më produktiv të jetë e mundur, por edhe brenda Kosovës – midis komuniteteve dhe institucioneve. Ky është çelësi për ta bërë Kosovën një vend ku të gjithë duan të jetojnë”, tha në fund ambasadori britanik, transmeton Express.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT