Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka premtuar edhe një herë liberalizimin e vizave, duke thënë se kjo do të ndodhë në fund të shkurtit, ose më së largu, në fillim të muajit mars, shkruan Gazeta Metro.
Këto deklarata, i pari i AAK’së i bëri në një intervistë për Ekonomia Online, ku tha se u ka dërguar shkresë vendeve të BE’së që janë vendimarrëse, për t’i hequr vizat.
“Jemi më skeptik tash. Është zor me ndodh sepse po shihet që jemi afër Krishtlindjeve. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të shkurtit, fillim të marsit, që me hy në rend dite. Unë kam vazhduar komunikimin me palët dhe ju kam bërë shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi. Mund të ketë ndikuar në shtyrje pak edhe vonesa në formim të institucioneve, që disi po na zbehin fuqinë tonë, pasi që kemi mbajt zgjedhje por nuk po e japim lajmin e duhur për institucionet e reja. Dhe besoj që kjo na ka krijuar problem”, ka thënë ai.
Në fund, Haradinaj ka thënë se qeveria ka kryer të gjitha obligimet dhe se vonesat po bëhen pa ndonjë arsye. Ai mendon se vendimi është politik, teksa ka falënderuar Gjermaninë dhe kancelaren Merkel për përpjekjet e vazhdueshme që kosovarët të lëvizin të lirë në zonën shengen.
Kujtojmë se Haradinaj i premtoi disa herë vizat gjatë këtij viti, duke thënë fillimisht se ato do të heqën në shtator, më pas nëntor, e në fund edhe për Krishtlindje./gazetametro.net