Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur Edi Ramës rreth asaj se Mini- Shengeni është i dëmshëm për Kosovën, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për një gjë të tillë, duke theksuar se e gjithë ideja e mini-shengenit është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është vëllai i tij, por që nuk ka pasur qare pa dal kundër ndarjes së Kosovës.
“Nuk janë të këqija, shikoni tash unë disa herë e kam përsëritur që Edi Rama është vëllai im, ai është shqiptar, jam shqiptar, të majtën e të djathtën në Shqipëri janë vëllezërit e motrat e mi. Unë nuk kam pas qare pa dal kundër ndarjes, jo për inati të njërit prej nesh as në Kosovë, as në Shqipëri, por kam dal kundër ndarjes. Sikurse e dini Trepça është Kosovë, nuk po na e konteston më kurrkush mbi këtë dhe, a keni dëgjuar dikë duke thënë më që Trepça është e dikujt tjetër pos e Kosovës, pavarësia energjetike ka ndodhur, pra kemi mundur të nënshkruajmë marrëdhënie kontraktuale tash me Shqipërinë për unifikim të tregut, kemi ushtrinë dhe po, kemi edhe taksën, po taksa është kundërvlerë për njohje. Kur të na njeh Serbia ne i hapim dyert për takime bilaterale e trilaterale, po me qëndrime mohuese të Serbisë deri edhe në mohim të masakrës së Reçakut nuk na mbetet rrugë tjetër pos me iu thënë puna e mbarë pa ne“, u shpreh Haradinaj.
Kujtojmë se sot në Tiranë po mbahet takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të diskutojnë projektin e “MiniShengenit Ballkanik”. Në këtë takim në Tiranë po marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa mungon Kosova e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë takim./gazetametro.