Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se koalicioni i partisë së tij me Nismën Socialdermokrate të Fatmir Limajt dhe konservatorët, garanton anëtarësimin e vendit në NATO.
Duke folur në Konventën Zgjedhore të Nismës, Haradinaj i tha Limajt se po e ndjen erën e fitores.
“Kryetar, Fatmir, po më duket era fitore po i vie”, tha Haradinaj.
“Këtu në këtë sallë ka shumë vepra, sepse ka shumë njerëz që kanë bërë vepra të mëdha për Kosovën”, tha ai, duke iu referuar slloganit të këtij koalicioni: “Veç vepra”.
Haradinaj përsëriti premtimin për anëtarësimin e vendit në NATO.
“Anëtarësimi në NATO, anëtarësimi direkt përmes planis aksional, e bën kthesën e madhe, jo vetëm të sigurisë, por edhe ekonomike dhe në të gjitha drejtimet tjera të jetës”, tha ai.
“Ju sigurojmë që do ta bëjmë realitet. Jo veç me e thënë, po kemi me e bë”, tha Haradinaj.
Kjo, sipas tij, do të bëhej “në muajt apo vitin e parë të qeverisjes”.
Tashmë ai tha se janë “duke punuar në këtë drejtim”.
Haradinaj tha se Kosova duhet të udhëhiqet nga njerëz “që kanë vepra”.