18.6 C
Mitrovice
E shtunë, 23 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Hapen degë dhe bankomate për serbët e Kosovës afër vendkalimeve kufitare

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi të hënën se Banka e Postës e Serbisë i ka hapur katër degë të improvizuara bankare në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Kosovë, në të cilat, sipas saj, serbët e Kosovës mund t’i tërheqin të ardhurat e tyre nga shteti serb, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sipas një njoftimi, Banka e Postës e Serbisë i ka ngritur degët e improvizuara në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare, Jarinjë, Bërnjak, Konçulj dhe Merdarë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se ky veprim është bërë me qëllim që serbëve nga Kosova t’u lehtësohet tërheqja e pagesave nga buxheti i Serbisë, të cilat i marrin në dinarë.

Kjo vjen pasi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi një rregullore më 1 shkurt, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme për transaksionet e pagesave në Kosovë.

Në bazë të saj, Dogana e Kosovës, dy herë gjatë muajit të kaluar, ndaloi hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.

Si pasojë, pjesëtarët e komunitetit serb në komunat në jug të Ibrit nuk kanë mundur t’i tërheqin të ardhurat nga buxheti i Serbisë prej mesit të muajit shkurt, ndërsa në komunat në veri të Kosovës është e mundur të tërheqin një shumë e kufizuar parash në sportelet e Bankës së Kursimeve Postare.

Zyra për Kosovën thekson se tani, klientët e Kursimores së Postës në degët e improvizuara në pjesën serbe të katër pikave kufitare me Kosovën, do të mund të kryejnë të gjitha veprimet bankare: tërheqje të pagave, pensioneve, ndihma financiare sociale dhe të ardhurave të tjera.

Ata gjithashtu mund të kryejnë pagesa në llogaritë në dinarë dhe valuta dhe transaksione të tjera bankare, sipas njoftimit.

Sipas njoftimit, çdo objekt është i pajisur me një bankomat të Kursimores së Postës, ku do të mundësohet tërheqja e mjeteve nga llogaritë e dinarit në çdo kohë.

“Në mbështetje të qytetarëve, banka dërgoi dy degë të lëvizshme me rrota që do të jenë në dispozicion në këto lokacione në përputhje me nevojat e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Shtohet se “kjo zgjidhje teknike është e karakterit të përkohshëm derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesës në zonat serbe në Kosovë”.

Përveç Kursimores së Postës, dinarët në Kosovë i përdorin edhe zyrat postare që punojnë në sistemin serb, si dhe përdoret edhe në tregti në zonat ku jetojnë serbët.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT