Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka ritheksuar zotimin e tij për ta lidhur Kosovën me furnizimet e gazit natyror të lëngëzuar amerikan (LNG), duke e cilësuar këtë si një projekt strategjik për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza tha se Kosova nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e rrjeteve rajonale të gazit natyror dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme energjetike.
“Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se për Partinë Demokratike të Kosovës partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, duke nënvizuar se kjo ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një prej shtyllave kryesore të politikës së PDK-së.
Hamza ka vlerësuar se lidhja e Kosovës me gazin amerikan do të sillte përfitime të shumta për qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke përfshirë rritjen e sigurisë energjetike, tërheqjen e investimeve të reja, uljen e ndotjes së mjedisit dhe krijimin e kushteve për energji me çmime më të përballueshme për familjet dhe bizneset.
Ai ka rikujtuar se vetëm në vitet e fundit Kosova ka shpenzuar qindra miliona euro për import të energjisë elektrike, ndërsa mungesa e investimeve strategjike në sektorin energjetik e ka bërë vendin më të cenueshëm ndaj krizave dhe luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.
“Kjo është koha për të vepruar. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Hamza.



