Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, në tubimin përmbyllës, ka thënë se Kosova sot nuk është aty ku duhet të jetë.
“Familjet kosovare po përballen me çmime të larta. Prindërit po e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbushin shportën e familjes. Pensionistët po e masin çdo shpenzim. Të rinjtë po e pyesin veten nëse e ardhmja e tyre është këtu apo diku tjetër. Bizneset po përballen me pasiguri, me mungesë përkrahjeje dhe me një qeveri që nuk i dëgjon. Shëndetësia ende nuk e jep shërbimin që qytetari e meriton. Arsimi ende nuk po i përgatit fëmijët tanë për të ardhmen që i pret. Drejtësia ende nuk është aq e shpejtë, aq efikase dhe aq e pavarur sa duhet të jetë. Kjo është e vërteta. Dhe e vërteta duhet thënë hapur: Kosova është lodhur nga krizat. Kosova është lodhur nga konfliktet e përditshme. Kosova është lodhur nga arroganca, nga propaganda, nga fajësimet dhe nga premtimet e pambajtura”, ka thënë ai.
Hamza ka shtuar se qytetarët nuk duan më drama dhe nuk duan më arsyetime.
“Qytetarët nuk duan më një qeveri që lufton me të gjithë, por nuk i zgjidh problemet e askujt. Qytetarët duan stabilitet. Duan kompetencë. Duan rezultate. Duan një qeveri që punon. Duan një kryeministër që di të udhëheqë. Dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush. Unë nuk vij për të sunduar. Vij për të shërbyer. Nuk vij për të ndarë. Vij për të bashkuar. Nuk vij për të prodhuar kriza. Vij për t’i ndalur krizat”, ka thënë Hamza.
Hamza, ka thënë se kjo fushatë ka ofruar një zgjedhje të qartë mes dy rrugëve.
“Njëra rrugë është rruga e krizës, e përçarjes, e konfliktit, e izolimit dhe e arrogancës. Rruga tjetër është rruga e zhvillimit, e stabilitetit, e bashkëpunimit, e punës dhe e rezultateve. Ne jemi rruga e dytë. Rruga e qytetarëve. Rruga e Kosovës”, ka thënë ai.
Sepse, siç ka thënë ai, Kosova nuk ka më kohë për eksperimente.
“Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për një qeveri që e mëson punën duke gabuar mbi kurrizin e qytetarëve. Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për njerëz që për çdo dështim e gjejnë një armik, por për asnjë problem nuk e gjejnë një zgjidhje. Gjashtë vjet janë mjaft! Mjaft është mjaft! Kosova ka nevojë për qeverisje serioze. Ka nevojë për plan. Ka nevojë për udhëheqje që dinë të punojë. Ka nevojë për udhëheqje që e kupton shtetin, ekonominë dhe institucionet. Ka nevojë për udhëheqje që i respekton qytetarët. Për udhëheqje të përgjegjshme. Për udhëheqje llogaridhënëse.”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se këto janë fjalë të panjohura për këtë kryeministrin në ikje.
“Sepse për gjashtë vjet, Kurti e përdori shtetin sikur të ishte pronë e tij. I përdori institucionet për pushtet. I përdori financat publike për propagandë. I përdori vendimet e Qeverisë, jo për t’i ndihmuar qytetarët, por për ta shpëtuar pushtetin e vet.”, ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, ka thënë se kjo Qeveri dhe kryeministri në ikje, nga e hëna do ta mësojnë një fjalë të re: llogaridhënien.
“Do të ketë llogaridhënie për paratë publike. Do të ketë llogaridhënie për vendimet e dyshimta. Do të ketë llogaridhënie për abuzimin me shtetin. Do të ketë llogaridhënie për çdo euro të taksapaguesve që është përdorur për interesa partiake e jo për qytetarët. Sepse shteti nuk është pronë e një njeriu. Paratë publike nuk janë fond partiak. Institucionet nuk janë mburojë për pushtetin. Në Republikën e Kosovës, pushteti buron nga qytetari. Dhe pushteti duhet t’i përgjigjet qytetarit”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se nuk janë para qytetarëve vetëm me fjalë, si të tjerët.
“Kemi ardhur me program. Kemi ardhur me vendime konkrete. Kemi ardhur me zotime të qarta. Nga dita e parë e Qeverisë sonë, prioriteti ynë do të jetë qytetari”, ka thënë Hamza.
Kandidati për kryeministër i PDK-së ka thënë se do ta ulin barrën mbi familjet.
Ai ka thënë se do ta ulin TVSH-në për produktet bazë.
“Do t’i rrisim pagat. Do t’i rrisim pensionet. Do t’i mbështesim bizneset. Do të hapim vende të reja të punës. Do të investojmë në energji, në infrastrukturë, në shkolla, në spitale dhe në drejtësi. Sepse ekonomia nuk është teori. Ekonomia është buka në tavolinë. Është paga në fund të muajit. Është çmimi i rrymës. Është çmimi i miellit, i vajit, i qumështit. Është mundësia që një i ri ta ndërtojë jetën e vet në Kosovë. Është dinjiteti i një pensionisti që nuk duhet të zgjedhë mes barnave dhe ushqimit. Ky është kuptimi i vërtetë i qeverisjes. Jo fjalime të mëdha. Jo armiq imagjinarë. Jo propagandë të përditshme. Por punë. Vendime. Rezultate. Llogaridhënie.”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se e di që shumë qytetarë janë zhgënjyer nga politika.
“E di se shumë prej jush kanë dëgjuar shumë premtime. E di se shumë prej jush pyesin: a mund të ndryshojë vërtet diçka? Përgjigjja ime sonte është: PO. PO, mund të ndryshojë. Por ndryshimi nuk ndodh vetë. Ndryshimi nuk vjen duke qëndruar në shtëpi. Ndryshimi nuk vjen duke thënë “të gjithë janë njësoj”. Ndryshimi vjen kur qytetarët vendosin ta marrin të ardhmen e vendit në duart e tyre. Të dielën, secili prej jush ka një fuqi të jashtëzakonshme. Një votë. Një vendim. Një mundësi për ta ndalur krizën dhe për ta ndryshuar Kosovën. Prandaj sonte dua t’i drejtohem secilit qytetar që ende është i pavendosur. Nëse je i lodhur nga çmimet e larta, voto për ndryshim. Nëse je i lodhur nga pagat që nuk mjaftojnë, voto për ndryshim. Nëse je pensionist dhe e di se meriton më shumë dinjitet, voto për ndryshim. Nëse je prind dhe do një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tu, voto për ndryshim. Nëse je i ri dhe do të qëndrosh në Kosovë, jo të ikësh prej saj, voto për ndryshim. Nëse je ndërmarrës dhe do një shtet që të ndihmon, jo që të pengon, voto për ndryshim. Nëse do një Kosovë më normale, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të respektuar, voto për ndryshim. Sepse kjo nuk është vetëm zgjedhje mes partive. Kjo është zgjedhje për drejtimin e Kosovës.”, ka thënë Hamza.





