Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për siç thotë dëmet që ia kanë sjell Kosovës.
Sipas tij Kosova i ka punët më keq se kurrë prej pavarësisë, dhe shton ai për fajin e Vetëvendosjes vendi është qe tre vite në sanksione nga BE, shkruan Reporteri.net.
Ai thotë se vendi ka humbur qindra milionë euro, ndërsa shton se “kemi Qeverinë më të korruptuar në histori”.
Postimi i tij i plotë:
Kosova i ka punët më keq se kurrë prej pavarësisë. Jemi në vitin e tretë të sanksioneve të rrepta ekonomike të BE-së për fajin e Qeverisë së Vetëvendosjes.
Kemi humbur qindra milionë euro. Kemi Qeverinë më të korruptuar në histori. Qeveri që e ka shkelur më së shpeshti Kushtetutën.
Kosova është e izoluar, në bllokadë institucionale – pa Kuvend funksional, pa qeveri efektive – mbas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Në këtë kohë, drejtuesit e vendit, presidentja dhe kryeministri, flasin për suksese të veta, për arritje, për progres.
Nëse këto janë arritje, nëse kjo gjendje paralize shoqërore, ekonomike dhe politike përbën progres, si do të dukej dështimi?