14.5 C
Mitrovice
E premte, 27 Shtator, 2024
spot_imgspot_img

Hamami i Mitrovicës në shitje për 1.6 milionë euro, shteti s’di gjë

“Ofrohet për shitje Hamami i qytetit së bashku me pjesën e parkingut mbrapa me lokacion në qendër të qytetit”, fjalia e parë e shpalljes në shitje të monumentit të mbrojtur me ligj, tokë me 15 ari truall. Çmimi: 1.6 milionë euro.

Ky nuk është rasti i parë që pronat e trashëgimisë kulturore me pronarë privatë, nxirren në shitje. Po në Mitrovicë, vitin e kaluar është shitur një shtëpi. Për rastin e Hamamit të Vjetër, institucionet e vendit nuk dinë gjë e për dikë ky është rasti i mirë që Ministria e Kulturës ta blejë monumentin që mbrohet prej shtetit.

Secili shtetas i Kosovës që posedon 1.6 milion euro dhe do të blejë një monument të shekullit XVIII me 15 ari truall në zemër të Mitrovicës, adresa është e gatshme: Hamami i Vjetër. Monumenti ikonik i këtij qyteti është nxjerrë në shitje nga pronarët. Institucionet e shtetit nuk dinë gjë. Së fundmi, aty në vitin 2022 janë investuar gati 90 mijë euro. Përderisa aneksi shërben si restorant, pjesa e Hamamit s’ka kurrfarë destinimi.

Ky nuk është rasti i parë që pronat e trashëgimisë kulturore me pronarë privatë, nxirren në shitje. Po në Mitrovicë, vitin e kaluar është shitur një shtëpi.

Telashet me mirëmbajtjen e Hamamit të Vjetër në Mitrovicë janë të vjetra. Lagështia ka qenë gjithnjë temë më vete. I vidhej edhe plumbi i kulmit. Pronarët kanë pasur ankesa të vazhdueshme. E tash kanë vendosur që pronën e tyre ta “kthejnë” në euro.

“Ofrohet për shitje Hamami i qytetit së bashku me pjesën e parkingut mbrapa me lokacion në qendër të qytetit. (Nuk është në shitje biznesi-restoranti). Përmban objektin dykatësh: Hamami i Qytetit dhe parkingu mbrapa. Objekti ka orientim dhe dalje shumë të përshtatshme kah rruga kryesore, por edhe mbrapa kah rruga e gjimnazit. Ka hapësirë të mjaftueshme ku sipërfaqja e përgjithshme e objektit, së bashku me pjesën mbrapa ka hapësirë prej 15 ari”, shkruhet në përshkrimin a ofertën që ka publikuar një kompani e shitblerjeve të patundshmërive në Mitrovicë.

“Objekti dhe trualli kanë fletën poseduese dhe kontrata e shitblerjes bëhet te noteri”, shkruhet në shpallje.

Agjenti që e ka nxjerrë në shpallje monumentin, Arban Peci, ka treguar se me të parën, të interesuarve u tregon se në këtë pronë nuk mund të ndërtohen objekte të tjera pa pasur leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Ky fakt, thotë se po i “tremb” pak blerësit potencialë.

“Por gjithmonë ua sqaroj këtë, pasi kam dëshirë të jem i sinqertë me të interesuarit dhe vazhdimisht kanë vepruar kështu”, thotë ai. I njëjti, vitin e kaluar ka ndërmjetësuar shitblerjen e një prone tjetër private që shteti e mbron si aset të trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për “Shtëpinë e Islam Shipolit”. Por në këtë rast, KOHA ka marrë vesh se pronarët kishin njoftuar institucionet e trashëgimisë kulturore për nismën, dhe institucionet kishin treguar se nuk kanë interes ta blejnë, por shitja eventuale të bëhet duke pasur parasysh aspektet ligjore të një prone nën mbrojte të shtetit. Ligji për trashëgiminë kulturore rregullon në parim këtë çështje.

“Shitja dhe kalimi apo vendosja e të drejtave pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent të trashëgimisë kulturore”, shkruhet sipër neneve ku përmendet shitblerja. “Trashëgimia kulturore mund të shitet, trashëgohet ose dhurohet vetëm brenda territorit të Kosovës dhe në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, me të cilin drejtohen çështjet pronësore. Ministria ka përparësi për të blerë trashëgiminë kulturore sipas çmimit të tregut, që do të vlerësohet nga një komision i pavarur që krijohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në nenin 4 pika 21 të Ligjit për trashëgimi kulturore.

Të mërkurën, KOHA ka kërkuar informacion nga Ministria e Kulturës sa i përket nxjerrjes në shitje të Hamamit të Vjetër të Mitrovicës. Por MKRS-ja, si rëndom, nuk ka kthyer përgjigje. KOHA ka marrë vesh se institucionet e trashëgimisë nuk janë në dijeni se pronarët duan ta shesin monumentin.

Një drejtues i lartë institucional ka thënë se në këtë rast do të duhej të ishte Ministria e Kulturës ajo që e blen pronën.

“Hamami i Mitrovicës është i veçantë edhe si arkitekturë. Është i vetmi rast që ka pronar privat, të tjerët, shumica janë në pronësi të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai monument do të mund të shërbente si hapësirë për shfrytëzim të shumanshëm. Plus gjeneron të hyra edhe në momentin kur flasim”, ka thënë ky drejtues institucional. Ka aluduar te qiraja e restorantit që është në aneksin e monumentit.

“MKRS-ja në një thirrje vjetore po shpenzon shumë më shumë sesa çmimi me të cilin do të mund të blihej ajo pronë. Bile në këtë rast, do të ishte investim kapital…”, ka shtuar ky drejtues institucional.

Prej ardhjes në krye të MKRS-së së ministrit Hajrulla Çeku, drejtuesit e institucioneve, shumica, shumë rrallë deklarohen publikisht, pasi MKRS-ja ka centralizuar edhe komunikimin me publikun.

Bashkëpronari i monumentit, Afrim Berisha ka konfirmuar se prona është nxjerrë në shitje. Ka shprehur gatishmëri për të biseduar me KOHËN, por shkaku i rrethanave ditore, ka thënë se biseda mund të bëhet në ndonjë ditë tjetër.

Hamamit të Vjetër i është vjedhur disa herë pjesa e plumbit në kulm. Më 2022, shteti kishte investuar në këtë hapësirë 89 mijë e 963 euro. Kjo shifër figuron te Ligji mbi ndarjet buxhetore për këtë vit. Po ashtu aty figurojnë edhe 100 mijë euro të parapara për investime të mëtejshme. Lagështia është e përhershme, shkaku i një përroske nëntokësore që kalon afër ndërtesës. Edhe paraprakisht është investuar në këtë ndërtesë.

Për historikun e Hamamit të Qytetit jepeshin të dhëna, ndër të tjera, kur ishte aktive databaza elektronike për trashëgimi kulturore. Për godinën që gjendet në atë që sot njihet si bulevardi “Shemsi Ahmeti”, shkruhej se i takon bërthamës së vjetër të qytetit. Ani pse pak nga kjo ka mbetur në atë rrethinë.

“Hamami i qytetit u ndërtua në fund të shekullit XVIII. Hamamin, sipas të dhënave të ish-pronarëve të objektit, e ndërtuan Sylejman Pashë Berisha dhe nipi i tij (djali i vëllait), Zejnullah Beg Berisha. Ndërtimi i objektit zgjati dy vjet. Hamami i qytetit është njëri ndër objektet më të ruajtura të periudhës osmane, karakteristikë për objektet publike të tipit sanitar ‘tek’ për meshkuj”, shkruhej në këtë historik.

Aty tregohej se Hamami kreu funksionin e vet, për çka edhe ishte ndërtuar deri në maj të vitit 1959. E me propozimin e Komisionit komunal për nacionalizimin e objekteve dhe tokës ndërtimore, Kuvendi Popullor i Komunës së Mitrovicës më 17 shtator 1959 mori vendimin për legjitimimin si pronar – shfrytëzues të këtij objekti Muzeun dhe Arkivin e Qytetit të Mitrovicës. Objekti i Hamamit ishte në përdorim si Muze i qytetit (muze arkeologjik, historik, numizmatik dhe etnografik) deri në nëntor të 2009-s. Nga nëntori i vitit 2009 objekti u është kthyer trashëgimtarëve të ish-pronarit.

“Çdo hapësirë e larjes dhe e pushimit është e mbuluar me nga një kupolë të vogël. Hapësira qendrore, ‘mejdani’ i pjesës së ngrohtë është i mbuluar me një kupolë qendrore më të madhe. Muret ndarëse po ashtu janë nga guri, kurse hapjet përfundojnë në formë harkore të përpunuara në mënyrë plastike”, shkruhej në databazë.

Gjithnjë sipas këtij përshkrimi, pjesa e vakët – pjesa për zhveshjen, rekuizitat, sanitaret – është e mbuluar me qemer. E ngrohja e hapësirave të Hamamit bëhej përmes teknologjisë së kanaleve nën dyshemenë e pjesës së ngrohtë të Hamamit, “hipokaust”, të cilat janë jashtë përdorimit nga koha kur Hamami pushoi së funksionuari.

“Ndërsa sistemi i tubacionit nga qeramika në kuadër të mureve po ashtu u largua në kohën kur Hamami i qytetit pushoi së funksionuari”, shkruhej në databazë.

Gjithnjë sipas atyre të dhënave, megjithëse Hamami ishte shndërruar në muze, pjesa e vakët dhe pjesa e ngrohtë kryesisht janë ruajtur siç kanë qenë.

“Kaldatorja shfrytëzohej për depo të nevojave të Muzeut me qasje nga jashtë. Ndërsa pjesa e ftohtë në dy katet ishte shndërruar në hapësirë për ekspozim të eksponateve muzeore”, shkruhet aty.

Hamami i qytetit, shkruhej në databazë, përjetoi disa herë ndryshime dhe rindërtim, në emër të modernizimit, e siç shkruan aty, punë të cilat u kryen pa përgjegjësi dhe pa profesionalizëm, me çka Hamami i qytetit përjetoi dëmtime si konstruktive ashtu edhe arkitektonike estetike, artistike dhe në vlera ambientale.

“Punët në emër të rindërtimit, restaurimit dhe konservimit në Hamam të qytetit u kryen në vitet 1876, 1936, 1958, 1980 dhe 2009. Hamami i qytetit nuk është shkatërruar gjatë luftës (1998-1999). Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në databazë./koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT