Disa pankarta interesante që kishin të bënin me presidentin Donald Trump dhe ish-kryeprokurorin Jack Smith ia morën vëmendjen emisarit Richard Grenell nga protesta e djeshme në Prishtinë.
Emisari presidencial për misione të veçanta në botë shpërndau një postim në X ku tregoheshin pankarta të tilla si “President Trump, Kosova shpreson dhe beson në ty” dhe një tjetër që thoshte se Jack Smith e ka rrëmbyer drejtësinë.
Grenell e shpërndau postimin e Fitim Çekut, ku flitej për protestën e organizuar në Prishtinë me synim që të jepej një përkrahje për Hashim Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së në Hagë.
Ish-ambasadori Grenell ka qenë mjaft i zëshëm në disa raste për padrejtësitë që po ndodhin në Hagë si pjesë e procesit kundër ish-presidentit Thaçi dhe figurave të tjera të larta të UÇK-së.
Për këto padrejtësi, Grenell disa herë e ka quajtur procesin atje si ‘gjyq të rremë’, ndërsa po ashtu ka përmendur përndjekjen që Jack Smith ia kishte bërë presidentit Donald Trump para se t’i fitonte zgjedhjet për herën e dytë.
Edhe protesta e djeshme në Prishtinë u thirr pikërisht për këto padrejtësi, teksa procesi në Hagë është futur në muajt e fundit para dhënies së epilogut përfundimtar./gazetametro.net