Ambasadori amerikan dhe i Dërguari i posaçëm i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se nuk i mbështet masat gjysmake të propozuara sot nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Gazeta Metro.
Kështu ka deklaruar ai pak më parë përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ku ripërsëriti se taksa 100 përqind duhet të hiqet plotësisht. “Nuk i përkrahim masat gjysmake të Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është shumë i qartë: taksat duhet të hiqen krejtësisht. Z. Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Kujtojmë se Kurti sot ka propozuar që taksa 100 përqind të hiqet pjesërisht më 15 mars, ndërsa e njëjta mund të largohet plotësisht më 1 prill nëse Serbia ndal fushatën me çnjohjet ndaj Kosovës. Këtë vendim, Kryeministri i vendit e ka marrur pa u konsultuar me partnerin e tij qeverisës në koalicion LDK’në si dhe aleatin më të madh të Kosovës, SHBA’në./gazetametro.net