I dërguari i posaçëm i Presidentit Biden, Gabriel Escobar, ka dhënë sot një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, duke folur gjatë për gjendjen në të cilën gjendet dialogu Kosovë-Serbi, ikja e të rinjëve kosovarë, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e ndër të tjerash edhe për raportet e SHBA-së me Qeverinë Kurti.
Qëndrimet e Escobarit po i duken formale analistit Dukagjin Gorani. Në “Pressing” në T7, Gorani tha se këto qëndrime në një farë mënyrë janë si letërnjoftim se për çfarë ka ardhur në Kosovë.
“Qëndrime formale, pra në një mënyrë është inagurues si përpiqen që të jepin intervistën e parë, pra ta jepin një letërnjotim së pari edhe të përgjithshme për çka ata vijnë këtu”, tha Gorani.
Në intervistën për Reporteri.net, Escobar theksoi se të rinjtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor po largohen nga vendet e tyre për të gjetur punë dhe mundësi diku tjetër dhe po e bëjnë këtë thjeshtë për arsye se nuk kanë mundësi të mjaftueshme në vendin e tyre, duke kërkuar nga Serbia dhe Kosova që të gjejnë një zgjidhje proaktive për qytetarët e tyre.
Lidhur me këtë, Gorani shtoi se është kërkesa për t’u gjetur një zgjidhje me Serbinë po justifikohet me atë që rinia e Kosovës po ikin nga vendi.
“Justifikimi ose arsyeshmëria prapa kërkesës për me gjet një zgjidhje sa ma shpejtë me Serbinë. E këtë herë, ky justifikim nesër do të shndërrohet në diqka më të shpeshtë. E ajo është që rinia e këtij vendi po e braktisin vendin”, tha Gorani.
Ish-politikani Gorani shtoi se kjo deklaratë e emisarit të SHBA-së për Ballkanin është thënë me qëllim, si një lloj mesazhi.
“Kjo është thënë më qëllim, është një lloj mesazhi, është i diskutum edhe i analizum derisa është vendos me u than kësisoj..sipas meje, ky është mesazh që e dërgon një ambasadë e madhe si ajo e Bidenit”, shtoi Gorani. /Reporteri.net