5.1 C
Mitrovice
E mërkurë, 28 Janar, 2026
spot_img

Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit është anti-kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka marrë sot një vendim në lidhje me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb, nuk përputhet me Kushtetutën.

Përmes një njoftimi për media Gjykata ka bërë të ditur se pozita e nënkryetarit serb, i takon grupit parlamentar me më së shumti deputet nga komunitetet.

“Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gjykata Kushtetueses.

Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se mekanizmat e debllokimit, përfshirë që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për të njëjtin kandidat, dhe procedura e shortit duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, sikurse përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës.

“Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

TË FUNDIT

TË FUNDIT