Aktivisti i njohur për qëndrimet pro VV, Rron Gjinovci, kësaj radhe i ka dalë kundër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pasi ky i fundit mori meritat për rikthimin e Kosovës në EQAR.
Sipas Gjinovcit ky sukses është meritë e stafit të Agjencisë së Akredimit dhe jo i Qeverisë Kurti, ashtu siç pretenduan Albin Kurti dhe vartësja Arbërie Nagavci.
“Jam i shtrënguar t’i reagoj Shkëlqesisë së Tij për këtë përvetësim të suksesit të një agjencie të pavarun. Po, qeveria e ka kry punën e vet duke siguru vota për kalimin e ligjit i cili ishte punu edhe në qeveritë paraprake. Trajtim përgjithësisht pozitiv ka pasë ndaj Agjencisë së Akreditimit që prej përjashtimit të saj nga EQAR dhe ENQA. Me përjashtime kur janë tentu ndërhyrje, madje edhe nga eksponentë të partisë suaj. Ky sukses është meritë e stafit të agjencisë dhe drejtusve të saj sidomos”.
Tutje ai ironizoi duke kërkuar nga Kurti që të punojë diçka e mos t’i përvetësojë sukseset e tjerëve.
“Shkëlqesi, provoni me punu najçka, me kry ndonjë projekt madhor, mandej s’keni nevojë me i përvetësu sukseset e të tjerëve”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.
Ndërkaq, me 14 korrik, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)./gazetametro.net