Avokati kosovar, Rilind Rama, ka shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar pa pagesë një qytetareje e cila ka kërkuar publikisht ndihmë për çështje ligjore.
Ajo kërkesën e saj e ka publikuar në grupin “Network Prishtina”, ku ka thënë se nuk ka mundësi të paguaj avokat, andaj i duhet ndihmë për mbështetje juridike falas, shkruan lajmi.net.
Qytetarja në fjalë po ashtu ka nënvizuar se i përket personave me aftësi të kufizuar.
“Përshëndetje ju lutem e kam një çështje personale, por nuk po mundem me gjetë kurrqysh lidhje se nuk po kam mundësi të paguaj avokat, po a dini najkush për që ka avokat falas për persona me aftësi të kufizuar, ju lutem kush kini njohuri, ju lutem ma shkruani emrin, mbiemrin, numrin e telefonit që të mundem me kontaktuar me atë avokat. Ju faleminderit për mirëkuptim”, ka shkruar ajo në këtë grup.
E menjëherë ndihmën e tij e ka ofruar avokati Rilind Rama, i cili është shprehur i gatshëm që qytetaren ta ndihmojë pa asnjë kompensim.
“Unë po e shprehi gadishmërinë time për të të ndihmuar. Kësaj kategorie edhe më parë i kam ndihmuar pa të holla. Madje ndonjëherë edhe pse e kam të hapur zyren juridike prap mendoj që në këso raste më i rëndësishme është sevapi siç njihet në popull se sa pagesa në të holla. Prandaj, brenda mundësive do të ndihmoj pa kurrfarë kompenzimi. Për më shumë lirisht me shkruaj në mesazh dhe do bisedojmë për më gjerësisht”, i është përgjigjur ai kësaj qytetareje.






