Qeveria e Gjermanisë ka dhënë sinjale pozitive sa i përket njohjes së patentë shoferëve të Kosovës, duke bërë të ditur se disa ekspertë do të udhëtojnë në Kosovë për të parë gjendjen në terren, transmeton Gazeta Metro.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Beqë Cufaj është ftuar me datën 4 Dhjetor në Ministrinë e Komunikacionit dhe Çështjeve Digjitale të Qeverisë së Gjermanisë. Në këtë takim, Ambasadori Cufaj është pritur nga Drejtori i kësaj Ministrie, Guido Zielke me bashkëpunëtorë. Pasi kanë shqyrtuar aspektete relevante të bashkëpunimit mes dy shteteve pikë kryesore e takimit ka qenë njohja reciproke e patent shoferëve mes dy vendeve pas Aplikimit Zyrtar që Kosova ka bërë vjeshtën e vitit 2018.
Zielke ka njoftuar Ambasadorin Cufaj që Qeveria e Gjermanisë e përkrah njohjen reciproke të patent shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë. Procesi në fjalë ka shënuar progres të dukshëm dhe po punohet që me hapa të shpejtë të vie deri tek përmbyllja e këtij procesi i cili nga pala gjermane në nivel teknik përmbyllet nga Ministria në fjalë dhe Ministrat përkatës të 16 Republikave gjermane në Konferencën e tyre vjetore. Kosova ka shënuar progres në këtë proces. Zielke ka njoftuar Ambasadorin Cufaj që një Delegacion i kësaj Ministrie në muajin Janar do të udhëtojë në Kosovë për të parë edhe gjendjen në terren, situatën me qendrat testuese, prodhimin e patenshoferëve dhe sidomos shqyrtimin e situatës në aspektin e sigurisë rrugore në Kosovë- pasi që procesi lidhet drejtpërdrejtë sidomos me aspektet e sigurisë dhe sidomos numrin e aksidenteve në rrugët e Kosovës.
Ambasadorit Cufaj i është thënë po kështu që Qeveria e Gjermanisë është plotësisht e vetëdijshme për nevojë dhe domosdoshmërinë e përmbylljes së këtij procesi prandaj edhe urgjenca e kësaj vizite. Ndryshe tash për tash në Gjermani lejohet vetëm 6 muaj që të vozitni me patentë shofer të Kosovës që nga data e hyrjes në këtë shtet. Kurse me njohjen e patentë shoferëve të gjithë kosovarët që duan punë në Gjermani si shoferë të autobusëve, kamionëve dhe kompanive tjera transportuese, mund të sigurojnë punë përmes agjencive private që merren me sigurimin e kontratave të punës. /gazetametro.net