Gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, e përjetoi edhe vet tërmetin kur ishte në Thumanë bashkë me presidentin Hashim Thaçi për të parë nga afër se si po shkonin operacionet e kërkim-shpëtimit. Ai ka thënë se ky moment ia kujtoi kohën e luftës. “Ne ishim në zonën e rrezikshme. Qëllimi ka qenë që t’i vizitojmë edhe trupat tanë, por edhe të partnerëve të tjerë që vepronin në atë kohë”. “Realisht, për mua ka qenë normale. Por, asnjëherë në jetën time nuk kisha dëgjuar goditje të tërmetit që në atë kohë ka qenë 5,6 të shkallës së Rihterit”. “Pas 20 vjetësh, më ka kujtuar goditjet dhe granatimet që kishim gjatë kohës së luftës”. Rama ka treguar se tashmë në Shqipëri e ka dërguar edhe një skuadër të ekspertëve që e vlerësojnë gjendjen e objekteve.
“Unë kam dërguar një skuadër që janë specialistë që e vlerësojnë gjendjen e objekteve. Janë specialist të kërkim-shpëtimit, sepse kërkim-shpëtimet urbane nuk ndodhin vetëm kur shkatërrohet gjithë objekti”. “Ne i trajnojmë pjesëtarët tanë në Qendrën Rajonale të Trajnimeve që edhe ushtarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë qenë dhe janë trajnuar këtu. Ne kemi tri njësi të kërkim-shpëtimit: kërkim-shpëtim në ujëra, kërkim-shpëtim në male dhe është kërkim-shpëtimi urban”. Ai ka thënë se kjo skuadër është e specializuar dhe do ta bëjë matjen dhe vlerësimin dhe objekteve të dëmtuara nëse janë të banuara apo duhet të rrënohen. “Janë specialistë të trajnuar për matjen dhe vlerësimin e një objekti se sa është i qëndrueshëm. Kemi pajisje specialistike që e bën edhe vlerësimin edhe të fortësisë së hekurit brenda që tregon nëse është rrezik ose jo”.