Gjëndra tiroide është një prej organeve më të rëndësishme në trupin e njeriut e cila gjendet në pjesën e përparme të qafës dhe njëherësh njihet edhe si një lloj organi përgjegjës për secilën qelizë në organizëm, thonë mjekë nga fusha e Endokrinologjisë. Ndonëse nuk ka statistika të sakta se sa njerëz vuajnë nga sëmundja e gjëndrës tiroide në Kosovë, ekspertë të kësaj fushe thonë se është sëmundja e dytë më e shpeshtë endokrinologjike, pas sëmundjes së sheqerit. Merita Emini, endokrinologe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se si sëmundje më shumë prek gratë kryesisht nga moshat 35 deri 40 vjeç e tutje, por që nuk përjashtohen as fëmijët dhe burrat.
“Sëmundjet tiroide janë sëmundjet e dyta më të shpeshta në fushën e Endokrinologjisë pas sëmundjes së diabetit (sheqerit). Pra, është një gjëndër e vogël tek qafa, por që ka shumë rëndësi sa i përket shëndetit të njeriut. Është sëmundje auto-imune. Të pranishëm janë disa antitrupa që e diagnostikojnë sëmundjen, por edhe nga ekzaminimi fizik shihen me zmadhim të gjëndrës, por edhe simptoma tjera”, tha Emini. Ajo flet edhe për kushtet e trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sa i përket sëmundjes së gjëndrës tiroide. “Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e kemi të pranishëm ultrazërin përmes së cilit bëhet ultrazëri i gjëndrës tiroide, por edhe komplet qafës. Por, aty bëhet edhe punktimi si dhe biopsia e cila pastaj dërgohet në Institutin e Patologjisë për rezultate dhe më pas përcillet si sëmundje. Këta pacientë zakonisht marrin shërbime ambulantore, kurse hospitalizohen vetëm në raste të rënda ose ato që janë vonuar në trajtim”, tha Emini.
Në anën tjetër, Mirlinda Nuka, 40 vjeçare, paciente e cila vuan nga gjëndra tiroide, thotë se trajtimin e merr në Qendrën Klinike Universitare. Ajo thotë se është mjaft e kënaqur me mjekët, pasi para trajtimit është ndjerë shumë keq me shëndet. “Nuk e kam ditur se prej çka vuaj një kohë të gjatë, por simptomat i kam pasur shumë të liga. Ndjehesha nervoze, e lodhur dhe me shume stres, pa arsye. Kisha edhe reaksione alergjike kohë pas kohe. Këto ishin disa nga simptomat që i kuptova kur u diagnostikova me sëmundjen e gjëndrës tiroide’’. ‘’Është një sëmundje me shumë pasoja, por falë mjekëve dhe terapisë që e përdori, jam stabilizuar me shëndet. Sa i përket trajtimit dhe diagnostikimit, jam shumë e kënaqur. Analizat dhe kontrollet i bëj në sektorin publik, qoftënë ndonjë Qendër të Mjekësisë Familjare apo edhe në QKUK’’, tha Nuka.
Ndryshe, në Kosovë ka mungesë të mjekëve endokrinologë. Në gjithë Kosovën janë 30 mjekë të kësaj fushe, ndërkaq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë vetëm 13 mjekë endokrinologë. Çrregullimet e gjëndrës tiroide mund të jenë morfologjike, të cilat shkaktojnë ndryshimin e madhësisë dhe formës e që manifestohet si pasojë e çrregullimit të prodhimit të hormoneve të gjëndrës. Kjo sëmundje manifestohet me lodhje, plogështi, djersitje, ankth, humbje të peshës e simptoma tjera./rel