Një rast tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një person rreth moshës 48-vjeçare është gjetur pa shenja jete në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë, në afërsi të pjesës së pasme të marketit “Kiper”.
Rreth orës 05:30, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin se në këtë lokacion është gjetur një person i gjinisë mashkullore pa shenja jete, rreth 48-vjeçar.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili bëri të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.
/GazetaSinjali/



