2.2 C
Mitrovice
E mërkurë, 19 Mars, 2025
spot_imgspot_img

Gjenden eshtrat e 11 të zhdukurve gjatë luftës

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas gjetjes së 11 të zhdukurve gjatë luftës, të cilët janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin.

Kurti ka thënë se zhdukja e tyre dhe e shumë personave të tjerë është e vërteta e krimeve të kryera nga Serbia.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka përkujtuar se më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke.

“Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin. Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve. Më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke. Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat. Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar ai.

Në varrezën masive në Bishtazhin u gjetën dhe u identifikuan Adem Gashi, Sahit Gashi, Bekim Hasani, SHeremet Ismajli, Mentor Myrtaj, Osman Fejza, Shkelzen Hajdaraj, Bekim Gashi, Sabedin Kryeziu, Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT