-1.8 C
Mitrovice
E enjte, 8 Janar, 2026
spot_img

Gjashtë të vdekur: Evropa përfshihet nga bora, akulli e acari

Gjashtë persona kanë vdekur, përderisa bora, akulli e temperaturat e ulëta po vazhdojnë që të shkaktojnë pasoja në disa pjesë të Evropës.

Autoritetet në rajonin Landes në jugperëndim të Francës thanë se tre njerëz vdiqën dhe 15 të tjerë u lënduan në aksidente rrugore të martën, ndërsa dy të tjerë e humbën jetën në rajonin e Parisit, raporton gazeta “The Guardian”.

Një vozitës vdiq në spital të hënën në mbrëmje, pasi kishte rënë në lumen “marne” dhe një tjetër e humbi jetën pas përplasjes me një automjet të rëndë për transportimin e mallit në pjesën lindore të kryeqytetit francez.

Në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, një grua vdiq të hënën, pasi një degë druri e mbuluar me borë u thye dhe i ra mbi kokë.

Shumë fluturime do të anulohen në dy aeroportet kryesore të Parisit, Rosissy-Charles de Gaulle dhe Orly, herët të mërkurën për t’u mundësuar ekipeve në terren që ta largojnë borën nga pistat dhe aeroplanëve t’ua heqin akullin. Rreth 40 për qind e fluturimeve në aeroportin Charles de Gaulle pritej të anuloheshin, ndërsa kjo shifër në aeroportin Orly ishte 25 për qind.

Në Holandë, qindra fluturime u anuluan në aeroportin Schipol të Amsterdamit, përderisa stafi po punone për t’i pastruar pistat e për t’ua hequr akullin aeroplanëve.

Udhëtarët që udhëtojnë me tren u ballafaquan me kaos në këtë shtet, pasi shërbimet u pezulluan të martën herët për shkak të një problemi me teknologjinë, duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën e shkaktuar nga moti.

Temperatura të ulëta po mbretërojnë në një pjesë të konsiderueshme të Evropës. Në pjesët jugore dhe lindore të Gjermanisë, temperatura të martën herët ra nën -10 gradë. Meteorologët gjermanë kanë parashikuar një stuhi në vend për të premten, ndërsa borë e dendur pritet në pjesët veriore e lindore.

Në Britani, temperatura gjatë natës ra në -12,5 gradë, ndërsa bora e pengoi trafikun rrugor, ajror e hekurudhor. Autoritetet u detyruan që të mbyllnin qindra shkolla në pjesën veriore të vendit./Nacionale

TË FUNDIT

TË FUNDIT