Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor Blerim Avdiun, i cili nga Prokuroria po akuzohet se ka kanosur ministrin në detyrë Faton Peci.
Sipas Aktgjykimit të shpallur, Blerim Avdiu për veprën penale “Kanosja” u dënua me 6 muaj burgim efektiv të cilin dënim i akuzuari do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri Blerim Avdiu po akuzohet se më 02.03.2025, përmes rrjetit social Facebook, me dashje, e ka “kanosur seriozisht” ministrin në detyrë Faton Peci, duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse, shkruan Kallxo.com.
Shpallja e Aktgjykimit u bë të mërkurën, më 28.05.2025, nga gjyqtarja Valbonë Fejza.
Sipas aktgjykimit të shpallur në dënimin me burgim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.03.2025 deri me datë 26.05. 2025 si dhe masa në arrestin shtëpiak nga data 26.03.2025 deri me datë 13.04.2025.Obligohet i dënuari që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajë 20 euro në emër të Paushallit gjyqësor, si dhe 20 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në shpallje të aktgjykimit prezent nuk ishin asnjë nga palët në procedurë. Pala e dëmtuar për realizmin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontekst të rregullt juridiko-civil. Palët e pakënaqura kundër këtij Aktgjykimi kanë të drejtë Ankese në Gjykatën e Apelit.
Kujtojmë se në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me datë 26.05.2025 i pandehuri Avdiu e kishte pranuar fajësinë dhe i kishte kërkuar falje ministrit në detyrë Faton Peci.