Një aksident trafiku është shënuar të enjten në rrugën “Ivo Llolla Ribar” në Mitrovicën e Veriut, por ajo që ka alarmuar institucionet është fakti se shoferi përgjegjës është larguar nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 14:30, Veselin Kuc, kishte parkuar automjetin zyrtar të tipit Skoda Octavia, pronë e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, në një parking të asaj rruge.
Kur u kthye në orën 19:15, ai vërejti se vetura ishte dëmtuar – një gërvishtje në pjesën e poshtme të anës së djathtë, e shkaktuar nga një automjet tjetër, ende i panjohur.
Drejtuesi i automjetit që shkaktoi dëmin ishte larguar nga vendi i ngjarjes, pa lënë asnjë gjurmë apo njoftim. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar dhe dëmet janë të vogla materiale.
Rasti është cilësuar si “Aksident trafiku me largim nga vendi i ngjarjes” dhe është në hetim nga autoritetet për identifikimin e automjetit të dyshuar.
Gazeta Sinjali do të sjellë detaje të reja në vazhdim.
/GazetaSinjali/