Mëngjesi i 26 shtatorit 1998 në fshatin Abri të Poshtme mbetet një nga momentet më të rënda në karrierën e fotoreporterit Wade Goddard, i cili dokumentoi me objektivin e tij mizoritë e luftës së Kosovës.
Në atë ditë të errët, ai ishte dëshmitar i dhunës së papërshkrueshme ndaj civilëve, duke parë trupa të vrarë dhe familje të shpërndara që kalonin kufirin në kushte ekstremisht të vështira, pa ushqim, pa strehë dhe pa asnjë mbështetje.
“Një djalë po shikonte trupat e familjarëve të vrarë dhe unë u afrova, vendosa duart në kokë duke u tronditur thellë,” tregon Goddard për KosovaPress. Për të, dokumentimi i këtyre ngjarjeve ishte një detyrë e rëndë, pasi emocioni dhe dhimbja e pamjeve e bënin të vështirë përqendrimin në punë.
Në shkurt të vitit 1998, ai erdhi në Kosovë bashkë me gazetarin Chris Hedges. Gjatë qëndrimit atje, Goddard pati mundësinë të takojë një nga figurat më legjendare të rezistencës shqiptare, komandantin Adem Jashari. Ai kujton se fillimisht nuk e kuptuan që po flisnin me Jasharin, dhe se ky i fundit nuk donte të fotografohej, duke e bërë misionin e Goddardit edhe më sfidues. Por pas shumë përpjekjeve, Goddard arriti të marrë disa foto të trupës së sigurisë së Jasharit, të cilat sot përbëjnë dëshmi të rëndësishme historike.
“Më kujtohet sesi Adem Jashari ishte një person i heshtur, por me një forcë të jashtëzakonshme dhe besim në kauzën e tij,” rrëfen Goddard. “Ajo ditë ishte e shkurtër, por e paharrueshme. Fotografitë që bëra aty ishin më shumë se thjesht imazhe – ishin dëshmi të rezistencës dhe sakrificës.”
“Nuk e kuptuam deri më vonë se në fakt ishte Adem Jashari me të cilin po flisnim. Kishim përkthyes, por nuk më kujtohet se kush ishte. Chris, gazetari i New York Times, bëri një intervistë me Adem Jasharin dhe ai nuk donte të fotografohej, gjë që ishte e pakëndshme për mua. Por në fund, arrita ta bindja që të paktën të fotografoja trupën e tij të sigurisë, dhe e bëra. Për mua, ishin vetëm disa sekonda pune pas gjithë asaj dite udhëtimi, por për Chrisin ishte shumë e vlefshme”, rrëfen Goddard.
Goddard tregon se gjatë viteve të luftës, ajo që e preku më shumë ishin pamjet e fëmijëve të vrarë dhe refugjatëve që përpiqeshin të shpëtonin nga mizoritë.
“Në Abri të Poshtme, ku u vranë 25 anëtarë të një familjeje, pamja e fëmijëve të vrarë ishte e pamohueshme dhe shokuese,” kujton ai. “Shumë fëmijë, madje edhe foshnja, ishin viktima të asaj dhune brutale.”
Fotoreporteri me origjinë nga Zelanda e Re ndoqi edhe bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe, duke parë me mijëra refugjatë të largoheshin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ai dokumentoi gjithashtu edhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre të rrënuara, duke kapur në fotografi gëzimin e lirimit dhe shpresën e rigjetjes së lirisë.
“Pamjet e njerëzve që valëviteshin flamujt në rrugët e Kosovës dhe festonin lirinë ishin një kontrast i fuqishëm me tmerrin që kisha parë më parë,” thotë Goddard.
Lufta e viteve 1998-1999 la pas vetes mbi 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë, mbi 20 mijë gra dhe burra të dhunuar seksualisht, dhe më shumë se 1,600 persona ende të pagjetur. Fotot e Wade Goddard mbeten dëshmi të gjalla që kujtojnë botës çmimin e lirisë së Kosovës dhe përpjekjet heroike të njerëzve si Adem Jashari, të cilët dhanë jetën për atdheun.