Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga KFOR-i do të sillte përfitime edhe strategjike, edhe politike për Serbinë.
Me këto vlerësime e ka përshkruar mediumi turk Türkiye Today një skenar hipotetik në rast të tërheqjes së trupave amerikane nga misioni i NATO-s.
Analiza e këtij mediumi merr si shkas paralajmërimin e të përditshmes gjermane ‘Bild’ ku, si pasojë e një marrëveshje ShBA-Rusi, trupat amerikane do të tërhiqeshin nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas 1990-s.
Artikulli vlerëson se në një skenar të tillë “aleatët evropianë të NATO-s do të ngelnin të izoluar në Ballkan”, veçanërisht përballë Serbisë së Vuçiqit dhe ushtrisë së tij të fuqishme.
“Për më tepër, me lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, ndikimi i Moskës në rajon me gjasë do të zgjerohej”.
Mediumi, në analizën e tij, thekson se KFOR-i, si mision i NATO-s i vendosur më 1999 për të krijuar siguri në Kosovë, ka rëndësi strategjike për ShBA-në.
“Si një nga hisedarët kryesorë në KFOR, Shtetet e Bashkuara luajnë një rol kritik në mbikëqyrjen e gjendjes së sigurisë në rajon. Përfshirja e ShBA-ve është jetike jo vetëm për stabilitetin e Kosovës, por edhe për parandalimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor”.
Ballkani, vazhdon artikulli më tej, prej kohësh ka qenë urë gjeopolitike mes Evropës dhe Azisë, duke e bërë praninë amerikane dhe atë të NATO-s të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe evropiane.
Sipas artikullit, “tërheqja e ShBA-ve nga KFOR-i do t’i sillte Rusisë më shumë hapësirë për ta zgjeruar ndikimin e vet në Ballkan”.
Analiza thekson se afrimi i fundit mes presidentit Donald Trump dhe Vladimir Putinit, mund të jetë në sintoni me përpjekjet amerikane për ta pakësuar praninë ushtarake në Evropë.
Kësaj do t’i kontribuonte, shkruan artikulli, edhe shkurtimi i buxhetit i propozuar nga Trumpi.
“Kështu, një tërheqje e tillë mund ta thellojë edhe më tej strategjinë e Rusisë për ta fuqizuar ndikimin e vet në Ballkan. Nëse ShBA tërhiqet prej KFOR-it dhe forcave të tjera të NATO-s në Evropë, ajo mund ta dobësojë jo vetëm baraspeshën e sigurisë në rajon, por edhe pozitën strategjike të Perëndimit kundrejt Rusisë. Prania e NATO-s në rajon ka shërbyer si ledh ndaj ndikimit rus. Lëvizja e ShBA drejt pakësimit të pranisë së saj mund ta hapë derën për Rusinë që të marrë një rol më aktiv në rajon”.
Tutje, artikulli i Türkiye Today merret edhe me skenarin e një tërheqje amerikane nga radhët e KFOR-it, që “do t’i sillte Serbisë përftime hem strategjike, hem politike”.
Gjithnjë sipas këtij mediumi, Serbia, me lidhjet e saj historike, kulturore e ushtarake me Rusinë, prej kohësh e ka prioritarizuar mbështetjen ruse për t’iu kundërvënë mbështetjes së Perëndimit për Kosovën.
“Pakësimi i pranisë ushtarake të ShBA dhe NATO-s në Kosovë mund ta lehtësojë një bashkëpunim më të afërt mes Serbisë dhe Rusisë. Kjo lëvizje mund të çojë deri te një rritje e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, dhe Serbia, me mbështetjen ruse, mund ta marrë një qëndrim edhe më të ashpër në Kosovë”.
“Një prani e pakësuar e ShBA dhe NATO-s mund ta fuqizojë qëndrimin anti-NATO të Serbisë e t’i thellojë edhe më lidhjet e saj me Rusinë”, shkruan ndër të tjerash Türkiye Today.