Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim një delegacion të lartë nga Instituti Kërkimor Shkencor Ushtarak i Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, raporton Gazeta Sinjali.
Ky takim u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit me Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së.
Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi kontributin e këtij institucioni në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike përmes hulumtimeve shkencore ushtarake.
“Roli i Institutit është kyç në zhvillimin e kërkimeve shkencore ushtarake, duke qenë thelbësor për modernizimin e forcave të armatosura”, theksoi Jashari, sipas njoftimit të FSK-së.
Ai shtoi se bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është thelbësor për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe të avancuara ndërmjet dy vendeve.
Takimi përfundoi me zotimin për të forcuar dhe zgjeruar më tej bashkëpunimin ndërmjet institucioneve respektive, me fokus në kërkimet ushtarake dhe zhvillimet profesionale.