Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda Mbështetëse e FARSH-it, udhëhequr nga Komandanti, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, ka qëndruar në vizitë në Komandën e Logjistikës të FSK-së.
FSK ka njoftuar se delegacioni u prit nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, që i njoftoi homologët nga FARSH me të arriturat, sfidat, ngritjen e kapaciteteve, misionin dhe detyrat e Komandës së Logjistikës, Strukturën organizative, aktivitetet dhe zhvillimet tjera në fushën e Logjistikës dhe Mjekësore.
“Gjatë kësaj vizite u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve logjistike dhe mjekësore, përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy forcave”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Gjithashtu është realizuar vizitë në servisin për automjetet e rënda, ku patën mundësinë të shohin nga afër kapacitetet e mirëmbajtjes.