Fotografi i njohur Ilaz Bylykbashi vazhdon të nxjerrë foto të vjetra nga arkivi i tij personal. Së fundit, ai ka postuar fotografi nga një takim i rrallë në kullën e Jasharajve në Prekaz, në 22 nëntorin e vitit 1991.
Bëhet fjalë për një grup të minatorëve që ishin pritur nga kryefamiljari i shtëpisë, Shaban Jashari, babai i heronjve, Adem e Hamëz Jashari.
“Sapo hymë brenda njoha shumë minatorë, mbase ishin rreth 150 veta, dhe udhëheqësit e tyre të kohës. Në ballë të dhomës së burrave ishte i zoti i shtëpisë, Shaban Jashari. Nga politikanët njoha Azem Vllasin, Aziz Abrashin e Burhan Kavajën. Në takim u fol për rëndësinë e Marshimit (47 kilometra në këmbë nga Stan Tërgu në Prishtinë) të Minatorëve. Atë ditë, nuk më shkoi mendja se kjo Kullë do të jet ndërtesë me të cilën do të merret diplomacia dhe historia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Vitet që pasuan, më dërguan atje shumë herë. Kryekomandanti shpirtëror, Shaban Jashari, do të më njoftojë për lëvizjet dhe synimet serbe për ta shkatërruar. Ai, me qetësinë e engjëllore thoshte: “Shkau i gjallë nuk i kapërcen këto mure” ka shkruar Bylykbashi. /Gazeta10